Deputetja opozitare serbe, Marinika Tepiq, ka publikuar dokumentacionin e plotë të komunikimeve përmes aplikacionit të koduar Sky ECC, që lidhen me Filip Koraqin, duke shtuar se në to përmenden figura të larta politike, zyrtarë të policisë dhe persona të lidhur me grupet kriminale në Serbi.

Përmes një postimi në rrjetin social X, Tepiq tha se dokumentacioni ishte publikuar fillimisht më 3 qershor 2025, por se institucionet serbe, përfshirë prokurorinë, policinë dhe Agjencinë e Informacionit të Sigurisë (BIA), nuk kishin ndërmarrë veprime përkatëse, pavarësisht se, sipas saj, kishin pasur në dispozicion materialet.


Sipas Tepiq, në dokumentacion përmenden presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, vëllai i tij Andrej Vuçiq, ish-sekretari i përgjithshëm i Qeverisë, Novak Nediq, si dhe ish-zyrtarja e policisë, Dijana Hrkaloviq.

Ajo përmendi gjithashtu emra të tjerë, përfshirë persona të lidhur me grupet kriminale Kavaç dhe Shkaljar.

Tepiq deklaroi se Prokuroria për Krim të Organizuar (TOK) kishte konfirmuar autenticitetin e materialeve, por nuk kishte ndërmarrë veprime të mëtejshme.

Sipas saj, të njëjtën qasje e kishin ndjekur edhe Ministria e Punëve të Brendshme dhe BIA.

Ajo e cilësoi dokumentacionin e publikuar si versionin e vetëm të plotë dhe origjinal të materialeve të siguruara nga Europol dhe Eurojust, duke pretenduar se nuk ishte përzgjedhur apo manipuluar përmes publikimit të pjesshëm të komunikimeve.

Deputetja opozitare tha se në dhjetëra dosje gjenden komunikime, fotografi dhe incizime audio që, sipas saj, lidhen me trafikimin e drogës, ndikimin në institucionet shtetërore, porositjen e vrasjeve dhe proceset zgjedhore në Serbi, përfshirë blerjen e votave përmes personave të lidhur me krimin e organizuar.

“Në këtë faqe gjenden dhjetëra dosje me komunikime, fotografi dhe incizime audio për trafikimin e drogës dhe ndikimin, porositjen e vrasjeve, zgjedhjet në Serbi, blerjen e votave përmes kriminelëve e të tjera”, deklaroi Tepiq.

Publikimi i këtyre materialeve vjen në një kohë kur komunikimet e siguruara përmes aplikacionit Sky ECC janë rikthyer në qendër të debatit politik dhe institucional në Serbi./TheGeoPost/