
Administrata Trump po shqyrton nxjerrjen e një urdhri ekzekutiv që do t’i klasifikonte disa organizata jofitimprurëse si të lidhura me terrorizmin. Një masë e tillë do t’u pezullonte menjëherë statusin e përjashtimit nga taksat dhe mund të paralizonte aktivitetin e tyre.
Zyrtarët e Trumpit kanë punuar prej muajsh për hartimin e këtij urdhri, sipas personave të njohur me çështjen. Megjithatë, urdhri është ende në fazën e shqyrtimit dhe mund të ndodhë që të mos finalizohet ose të mos nënshkruhet nga Trump, thanë këta persona.
Një urdhër i tillë ekzekutiv do të përdorte një dispozitë të pakonsoliduar të legjislacionit tatimor dhe do të përshkallëzonte kontrollin e administratës mbi organizatat e përjashtuara nga taksat, duke mundësuar potencialisht shënjestrimin e disa kundërshtarëve dhe rivalëve politikë të Trumpit.
Klasifikimi si organizatë terroriste do t’u shkaktonte grupeve pasoja shumë më të menjëhershme sesa procedurat më të ngadalta që Shërbimi i të Ardhurave të Brendshme (IRS) përdor zakonisht për të shqyrtuar dhe ndëshkuar organizatat e përjashtuara nga taksat për shkelje ligjore.
Nuk është ende e qartë se sa organizata dhe cilat prej tyre mund të jenë objekt i një urdhri të tillë ekzekutiv.
Vitin e kaluar, Trump nënshkroi një memorandum për sigurinë kombëtare, i cili udhëzonte IRS-në të garantonte që asnjë organizatë e përjashtuar nga taksat të mos përfshihej në terrorizëm të brendshëm ose dhunë politike, si dhe nxiste referimin e rasteve në Departamentin e Drejtësisë. Zyrtarët kanë bërë publike përpjekjet e tyre në këtë drejtim, por kanë folur pak për përdorimin e nenit 501(p) të legjislacionit tatimor.
“Po shqyrtojmë rastet kur statusi i përjashtimit nga taksat është shfrytëzuar në mënyrë abuzive, cilat subjekte bamirësie janë shndërruar në kanale financiare për aktivitete të ndikimit të huaj dhe se si personat të cilëve u është besuar administrimi i këtyre organizatave kanë mundësuar, në vend të kësaj, dhunën”, deklaroi në korrik Sekretari i Thesarit, Scott Bessent. “Aty ku na çojnë provat, nuk do të ngurrojmë t’i ndjekim ato.”
Sipas një personi me njohuri të drejtpërdrejta mbi çështjen dhe një memorandumi të shqyrtuar nga The Wall Street Journal, zyrtarët e administratës Trump u janë drejtuar kohët e fundit ekspertëve të IRS-së për të ndihmuar në vlerësimin e zbatimit të mundshëm të urdhrit ekzekutiv.
Një tjetër person i njohur me diskutimet tha se zyrtarët e administratës kanë shqyrtuar të dhënat bankare të organizatave jofitimprurëse dhe dokumente të tjera, për të ndihmuar në hartimin e urdhrit ekzekutiv dhe përcaktimin e grupeve që duhet të konsiderohen si të përfshira në terrorizëm ose që e mbështesin atë.

Sekretari i Thesarit Bessent
Sipas disa personave të njohur me çështjen, zyrtarët po shqyrtojnë nenin 501(p)(2)(C), i cili i jep presidentit autoritetin që, përmes një urdhri ekzekutiv, t’i cilësojë këto organizata si subjekte që mbështesin ose janë të përfshira në aktivitete terroriste. Pas këtij përcaktimi, këtyre organizatave do t’u pezullohej automatikisht statusi i përjashtimit nga taksat, një masë që mund të dëmtonte financat e tyre dhe të ndërpriste rrjedhën e donacioneve.
Aktualisht janë nëntë organizata të cilave u është pezulluar përjashtimi nga taksat për shkak të lidhjeve të pretenduara me terrorizmin. Këto vendime erdhën si rezultat i përcaktimeve për vendosjen e sanksioneve nga agjenci federale, si Departamenti i Thesarit, dhe jo përmes një vendimmarrjeje të drejtpërdrejtë presidenciale të llojit që po shqyrton Shtëpia e Bardhë, thanë juristët.
Një zyrtar i Shtëpisë së Bardhë deklaroi se çdo diskutim lidhur me një urdhër të mundshëm ekzekutiv është spekulativ. Prillin e kaluar, Shtëpia e Bardhë u deklaroi gazetarëve se asnjë masë e tillë nuk ishte duke u hartuar apo shqyrtuar.
Departamenti i Thesarit dhe Shërbimi i të Ardhurave të Brendshme (IRS) nuk iu përgjigjën kërkesave për koment.
Rregullat e IRS-së zakonisht kërkojnë që agjencia të ndjekë procedura të caktuara për t’ua hequr ose pezulluar statusin e përjashtimit nga taksat organizatave jofitimprurëse. Këto procedura përfshijnë një auditim të detajuar, njoftim zyrtar dhe të drejtën për t’iu drejtuar gjykatës. Një përcaktim sipas nenit 501(p) nuk mund të kundërshtohet mbi baza tatimore; organizata ka të ngjarë të duhet të ngrejë një padi për të dëshmuar se nuk ka lidhje me terrorizmin.
Sipas dokumenteve të brendshme të shqyrtuara nga The Wall Street Journal, që prej vitit të kaluar, Byroja Federale e Hetimit (FBI), IRS dhe Departamenti i Thesarit kanë bashkëpunuar për të hetuar organizatat e përjashtuara nga taksat për lidhje të mundshme me terrorizmin.
“Po shohim krijimin e një infrastrukture të re zbatimi të ligjit, e cila po ndërlidhet mes agjencive të ndryshme”, tha Carolyn Schenck, një ish-zyrtare e IRS-së, e cila aktualisht punon në studion ligjore Caplin & Drysdale. “Asnjë prej këtyre instrumenteve nuk është i ri. Ajo që është e re dhe potencialisht me pasoja shumë të rëndësishme është përdorimi i tyre së bashku kundër të njëjtave organizata dhe për të njëjtën sjellje.”
Nëse administrata përdor nenin 501(p) për t’i pezulluar një organizate statusin e përjashtimit nga taksat, ajo ka të ngjarë të duhet të ngrejë një padi, duke pretenduar se ky përcaktim është bërë në mënyrë arbitrare dhe kapriçoze, me qëllim që një gjykatë ta rrëzojë vendimin, tha Schenck. Kjo mund të jetë sfiduese, pasi disa nga provat e qeverisë mund të klasifikohen si sekrete.
Megjithatë, gjatë zhvillimit të këtyre proceseve gjyqësore, organizatat e prekura do të detyroheshin të paguanin taksa për çdo të ardhur neto, ndërsa kontributet financiare për to nuk do të ishin më të zbritshme nga taksat për donatorët.

Shefi i kabinetit, Miller
“Një president që i referohet kësaj dispozite po zgjedh hapur të përdorë sistemin tatimor kundër një organizate të cilës i është vendosur ky përcaktim, dhe kjo zgjedhje tërheq vëmendjen dhe shqyrtimin e veçantë”, tha Kevin Frankel, një ish-ndihmësprokuror i përgjithshëm i Nju Jorkut. “Vlera e saj e veçantë qëndron te mundësia për të arritur organizatat që janë jashtë sistemit të sanksioneve dhe përcaktimeve për terrorizmin e huaj, gjë që në praktikë nënkupton organizatat vendase.”
Që nga fillimi i mandatit të dytë të Trumpit, administrata dhe aleatët e saj kanë kërkuar mënyra për të hetuar dhe ndëshkuar disa organizata jofitimprurëse.
Trump e ka urdhëruar Bessentin të përdorë zyrën e Thesarit për luftën kundër terrorizmit dhe inteligjencën financiare, për të shqyrtuar flukset financiare të organizatave dhe për të gjurmuar burime të mundshme financimi të paligjshëm.
Departamenti i Drejtësisë ngriti akuza penale ndaj organizatës jofitimprurëse Southern Poverty Law Center, duke e akuzuar për mashtrim të kontribuuesve përmes pagesave të fshehta ndaj informatorëve. SPLC i ka mohuar akuzat. Aleatë të Trumpit në Kongres dhe në qeveritë e shteteve kanë referuar organizata jofitimprurëse pranë administratës, për shqyrtimin e mundësisë së heqjes ose pezullimit të statusit të tyre të përjashtimit nga taksat.
Gjatë takimeve ndërinstitucionale në fund të vitit të kaluar, zëvendësshefi i kabinetit të Shtëpisë së Bardhë, Stephen Miller, i pyeti zyrtarët e administratës se përse nuk ishin bërë më shumë përpjekje për të hetuar organizatat jofitimprurëse që, sipas tij, kishin lidhje me organizata terroriste, siç ishte antifa, bëhet e ditur nga një pjesëmarrës në takim. Trump e cilësoi antifa-n si organizatë terroriste të brendshme përmes një urdhri ekzekutiv në shtatorin e kaluar. Antifa është një kolektiv i lirshëm dhe jo një organizatë formale e përjashtuar nga taksat.
Republikanët në Komisionin e Mënyrave dhe Mjeteve të Dhomës së Përfaqësuesve kanë referuar organizata pranë IRS-së për hetimin e lidhjeve të mundshme me organizata terroriste të huaja. Guvernatori republikan i Teksasit, Greg Abbott, i dërgoi një letër Bessentit në fund të vitit të kaluar, duke kërkuar pezullimin e statusit tatimor të Council on American-Islamic Relations (CAIR) dhe duke pretenduar se organizata kishte lidhjet e saj me rrjete terroriste. Organizata i ka mohuar këto akuza.
Urdhri i mundshëm i Trumpit e ka zanafillën te politikat e krijuara pas sulmeve të 11 shtatorit 2001. Presidenti George W. Bush nënshkroi një urdhër ekzekutiv që i lejonte administratës të përcaktonte individë dhe grupe të caktuara, përfshirë organizatat jofitimprurëse, si të lidhura me terrorizmin, duke mundësuar ngrirjen e pasurive të tyre.
Më vonë, gjatë mandatit të parë të Bushit, Kongresi u dha presidentëve kompetencën që, përmes një urdhri ekzekutiv, të certifikonin se disa organizata jofitimprurëse kishin lidhje me terrorizmin dhe që ky përcaktim të sillte automatikisht pezullimin e statusit të tyre të përjashtimit nga taksat. Ky ligj i lejon gjithashtu Departamentit të Shtetit t’i përcaktojë organizatat si të lidhura me grupe terroriste, gjë që mund të sjellë gjithashtu pezullimin e përjashtimit nga taksat.
VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e WSJ