Vendosni fjalën kyçe....

Eisenkot mandatohet për qeverinë e re në Izrael


Përfaqësuesit e 67 deputetëve të rinj rekomanduan Eisenkotin për postin e kryeministrit, kundrejt 46 deputetëve që mbështetën kryeministrin aktual, Benjamin Netanyahu, shkruan Ynet.

“Siç theksova në përfundim të konsultimeve, përfaqësuesit e 67 anëtarëve të Knessetit rekomanduan kryetarin e Yashar si personin që duhet të marrë mandatin”, tha presidenti i Izraelit Herzog.

“Prandaj, në bazë të kompetencave që më jep Ligji Themelor për Qeverinë, kam vendosur t’ia besoj detyrën për formimin e qeverisë kryetarit të Yashar, gjenerallejtënantit në pension Gadi Eisenkot.”

Herzog pranoi se Likud-i i Netanyahut mbetet partia më e madhe individuale në parlamentin e ri, por tha se kjo nuk e detyronte t’i jepte kreut të saj mundësinë e parë për të formuar qeverinë.

“Fakti që fraksioni i Likud-it është më i madhi në Knessetin e ri nuk më ka shpëtuar vëmendjes”, tha Herzog.

Ai vuri në dukje se presidentë të mëparshëm, në disa raste, ia kishin caktuar mandatin një lideri, partia e të cilit nuk kishte numrin më të madh të vendeve në parlament.

Herzog u takua veçmas me Eisenkotin dhe Netanyahun gjatë fundjavës, përpara se t’i njoftonte për vendimin e tij.

Pas njoftimit të së shtunës, Eisenkot shkroi se Izraelit i nevojitet një qeveri e emergjencës kombëtare. “Kjo është koha për të krijuar një qeveri të emergjencës kombëtare. Do të bëj gjithçka që të jemi të denjë për këtë përgjegjësi”, tha ai.