Milani ka marrë një fitore të rëndësishme në transfertë, duke mposhtur Genoa-n me rezultatin 2-1 në “Stadio Luigi Ferraris”, në një ndeshje ku kuqezinjtë konfirmuan edhe një herë formën e mirë jashtë fushe. Skuadra e Milanit regjistroi kështu ndeshjen e gjashtë radhazi pa humbje në transfertë që nga fillimi i sezonit në Serie A.
Genoa pati mundësinë të kalonte në avantazh që në minutat e para, por Milutin Osmajic nuk arriti të shfrytëzonte një rast të mirë brenda zonës, duke e dërguar topin ngjitur me shtyllën.
Milani reagoi shpejt dhe në minutën e 13-të gjeti golin e avantazhit. Adrien Rabiot depërtoi bukur në zonën kundërshtare dhe pasoi për Alphadjo Cisse, i cili me një goditje të menjëhershme dërgoi topin në rrjetë.
Vetëm pak minuta më vonë, miqtë dyfishuan shifrat. Gonçalo Ramos shërbeu një pasim për Christian Pulisic, i cili kontrolloi topin dhe me qetësi mposhti portierin Justin Bijlow, duke e çuar rezultatin në 2-0.
Genoa tentoi të rikthehej në lojë dhe Osmajic arriti të shënonte me kokë, por goli u anulua për pozicion jashtë loje. Edhe Leo Ostigard pati një mundësi të mirë përpara pushimit, por u ndal nga një pritje e shkëlqyer e Mike Maignan.
Në pjesën e dytë, vendasit shtuan presionin dhe kërkuan me ngulm golin që do të rihapte takimin. Ai erdhi vetëm dy minuta përpara përfundimit të kohës së rregullt, kur Mikael Egill Ellertsson provoi nga distanca rreth 25 metra dhe mposhti Maignan, i cili nuk kishte pamje të qartë të topit.
Pesë minutat shtesë ishin të tensionuara, por Milani arriti të ruante avantazhin dhe të merrte tri pikët.
Me këtë sukses, kuqezinjtë regjistrojnë fitoren e katërt në pesë ndeshjet e fundit të kampionatit dhe ngjiten në vendin e katërt, pesë pikë larg kryesueses Lazio. Genoa, ndërkohë, zbret në vendin e 15-të.
© SYRI.net
Chelsea zhgënjen në transfertë, Sunderlandi triumfon falë penalltisë së Le Fee
Liverpool triumfon ndaj Crystal Palace, Wirtz shënon golin e parë në Premier League, Sage në presion
Rrëfimi shokues i Matrit: Mendova se kisha SLA-në pas dështimit te Milani, u rrëzova psikologjikishtBëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti: