Të paktën katër të vdekur dhe 88 të plagosur nga përplasja e dy trenave në Egjipt

Të paktën katër persona kanë humbur jetën dhe 88 të tjerë janë plagosur të dielën, pas përplasjes së dy trenave në jug të Kajros, kryeqytetit të Egjiptit, njoftuan autoritetet lokale.
Aksidenti ndodhi në distriktin Al Ayyat, në provincën Giza, rreth 52 kilometra në jug të Kajros. Sipas Ministrisë së Transportit, një tren që udhëtonte drejt provincës Fayum, në jugperëndim të vendit, goditi pjesën e pasme të një treni tjetër që ishte nisur drejt provincës Aswan, në jug të Egjiptit.
Si pasojë e përplasjes, njëri nga trenat doli nga shinat, por autoritetet nuk kanë bërë të ditur se për cilin prej tyre bëhet fjalë, transmeton Telegrafi.
Ministria e Shëndetësisë konfirmoi se katër persona kanë vdekur, ndërsa 88 të tjerë kanë pësuar lëndime. Të plagosurit janë transportuar në spitalet e afërta për të marrë trajtimin e nevojshëm.

Presidenti i Egjiptit, Abdel Fattah al-Sisi, bëri të ditur përmes një postimi në rrjetet sociale se ka urdhëruar nisjen e menjëhershme të një hetimi për të përcaktuar shkaqet e aksidentit dhe për të identifikuar personat përgjegjës.
Ndërkohë, Autoriteti Egjiptian i Hekurudhave njoftoi se ekipet e emergjencës dhe vinçat janë dërguar në vendin e ngjarjes për të larguar rrënojat dhe për të mundësuar rikthimin sa më të shpejtë të qarkullimit hekurudhor.
Në shtatorin e vitit të kaluar, në të njëjtin distrikt, dy trena mallrash ishin përplasur, me ç’rast ishin lënduar drejtuesi i njërit tren dhe ndihmësi i tij. /Telegrafi/






































