Vendosni fjalën kyçe....

BE akuzon TikTok-un për algoritëm me “rrathë viciozë” përmbajtjeje


Komisioni Evropian ka akuzuar TikTok-un për shkelje të rregullave që zbatohen ndaj platformave online, pasi ka projektuar algoritme që i çojnë përdoruesit drejt të ashtuquajturve “rrathë viciozë” të përmbajtjes.

Gjetjet paraprake, të bëra publike të premten, shënojnë herën e parë që Komisioni përqendrohet te sistemet e rekomandimit të përmbajtjes së një platforme të mediave sociale si shkelje e Aktit të Shërbimeve Digjitale (DSA), sipas të cilit mund të vendosë gjoba deri në 6% të të ardhurave vjetore globale të një kompanie.

“Është hera e parë që po trajtojmë drejtpërdrejt modelin e sistemeve të rekomandimit të përmbajtjes, të bazuara te angazhimi i përdoruesve”, tha një zyrtar i Komisionit, të cilit iu garantua anonimiteti për të folur lirisht.

Ky është rasti i pestë kur ekzekutivi i BE-së akuzon TikTok-un për shkelje të rregullave evropiane, megjithëse deri më tani nuk ka vendosur asnjë gjobë ndaj platformës në pronësi kineze.

Në njoftimin e së premtes, Komisioni thotë se kompania nuk ka marrë mjaftueshëm parasysh rrezikun që përdoruesit të përfshihen në këta “rrathë viciozë” përmes një “rrjedhe të pandërprerë videosh të personalizuara, edhe kur ato lidhen me vështirësi të shëndetit mendor dhe me imazhin e trupit”.

Hetimi u përqendrua te ndikimet në shëndetin mendor, sepse “provat ishin më të forta”, deklaroi një tjetër zyrtar, kur u pyet se si këta rrathë viciozë kontribuojnë në radikalizim, shkruan Politico.

Sa më shumë që përdoruesit ndërveprojnë me përmbajtjen, edhe kur ajo mund të jetë e dëmshme, aq më shumë përmbajtje të ngjashme u rekomandohet atyre, tha Komisioni në njoftimin e tij për shtyp. Në të theksohej gjithashtu se masat e marra nga TikTok-u për të frenuar këtë efekt nuk kanë qenë efektive.

TikTok-u duhet t’u kushtojë më shumë rëndësi sinjaleve “të qarta”, si butonat me opsionin “Nuk më intereson”, sesa sinjaleve të tërthorta, si angazhimi i përdoruesve, tha zyrtari i parë i Komisionit. Treguesit e angazhimit matin shkallën në të cilën përdoruesit ndërveprojnë me përmbajtjen, si për shembull kohën që kalojnë duke parë një video ose përmbajtjen që pëlqejnë. Duke folur për masat që duhen marrë për të zbutur këto rreziqe, zyrtari tha se zgjidhjet duhet të jenë efektive dhe se masat aktuale të TikTok-ut nuk janë të tilla.

“Të thuash ‘Nuk më intereson’ duhet të ketë një kuptim, një efekt real. Kjo nuk duhet të jetë thjesht një masë dytësore, pas së cilës kthehesh sërish te sistemi i vjetër i rekomandimit të përmbajtjes”, tha zyrtari.

DSA parashikon gjithashtu një burim përmbajtjeje jo të personalizuar për të gjithë përdoruesit, por vetëm 0,2% e përdoruesve të TikTok-ut e zgjedhin realisht këtë opsion, tha njëri prej zyrtarëve.

Një zëdhënës i TikTok-ut kundërshtoi akuzat, duke thënë se kompania “ka një histori të fortë” në mbrojtjen e përdoruesve të saj. “Komisioni ka bërë një sërë deklaratash që janë thelbësisht të pasakta dhe që shtrembërojnë mënyrën se si është ndërtuar platforma jonë, si dhe angazhimin tonë për sigurinë e përdoruesve”, tha zëdhënësi.

Tashmë kompania mund të shqyrtojë provat, të mbrojë praktikat e saj dhe të përpiqet të hartojë një plan për korrigjimin e problemeve, i cili të jetë i pranueshëm për rregullatorin, në mënyrë që të shmangë gjobat.

TikTok-u ka arritur të mbyllë një hetim sipas DSA-së, lidhur me transparencën e reklamave, duke rënë dakord me Komisionin për të zbatuar disa masa korrigjuese.