SYRI TV/ Rrezikojnë mjedisin e shëndetin, Rama urdhëron ERE: Tec-et lundruese licensohen për 5 vjet

15:40, 08/11/2026
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Enti Rregullator i Energjisë, me urdhër të kryeministrit Rama, ka licensuar për pesë vite TEC-et lundruese Tigri 1 dhe Tigri 3, të vendosura në Gjirin e Vlorës. Deri më tani, investimi për dy centralet lundrues ka qenë një dështim në aspektin financiar dhe një rrezik i shtuar për shkatërrimin e eko-sistemit të zonës. KESH-i ka konfirmuar se dy “Tigrat” kanë prodhuar vetëm 1 për qind të energjisë elektrikë në vend, ndërkohë që shpenzimet për qira dhe mirëmbajtje janë në rendin e miliona eurove.

Syri tv

Enti Rregullator i Energjisë licencoi këtë të Premte termocentralet lundrues “Tigri 1” dhe “Tigri 3” për prodhimin e energjisë elektrike. Ky vendim, i urdhëruar nga Kryeministri Rama, nuk duket se është aspak surprizë, megjithëse vënia në punë e dy “Tigrave” përbën një rrezik shumë të madh për biodiversitetin dhe shëndetin e qytetarëve në Gjirin e Vlorës.

Bordi i ERE-s vendosi në mbledhjen e datës 6 nëntor 2026 “Miratimin e licencimit të KESH sh.a. për prodhimin e energjisë elektrike nga TEC-et lundruese “Tigri 1”, me kapacitet të instaluar 50 Mega Vat, dhe “Tigri 3”, me kapacitet të instaluar 60 Mega Vat, të vendosura në Portin e Triportit, në Gjirin e Vlorës, për një afat 5-vjeçar”.

Për më shumë se 4 vjet, dy anijet “Tigra” të mbërritur nga Bangladeshi, iu morën me qira dy kompanive të huaja. Në Marrëveshjen mes qeverisë dhe shoqërive “Exelerato” dhe “Renzo”, të nënshkruar me ndërmjetësimin e ish-ambasadores amerikane në Tiranë, Yuri Kim, shteti shqiptar pagoi rreth 95 mijë euro në ditë për qira dhe mirëmbajtjen e dy anijeve-termocentralë.

Në përfundim të afatit të qirasë, dy “Tigrat” i kaluan në pronësi qeverisë shqiptare, e cila do t’i vendosë në funksion nëpërmjet Korporatës Elektro-energjitike Shqiptare (KESH).

Deri më tani, investimi për dy centralet lundrues ka qenë një dështim në aspektin financiar dhe një rrezik i shtuar për shkatërrimin e eko-sistemit të zonës në të cilën janë ankoruar.

Në dy raporte radhazi, Korporata Elektroenergjitike Shqiptare ka konfirmuar se dy “Tigrat” kanë prodhuar vetëm 1 përqind të energjisë elektrikë në vend, ndërkohë që shpenzimet për qira dhe mirëmbajtje janë në rendin e miliona eurove.

Nga ana tjetër, grupet mjedisore kanë reaguar shpesh kundër këtyre anije-termocentralë, pasi aktiviteti i tyre është shkatërrimtar për mjedisin dhe një rrezik i shtuar për shëndetin e qytetarëve.

Pavarësisht pikëpyetjeve të mëdha në aspektin financiar dhe mjedisor, Enti Rregulltator i Energjisë i ka dhënë viston funksionimit të dy “Tigrave”, të cilët po përthithin miliona euro për karburant, siguracion, mirëmbajtje e shërbime të tjera.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco