Bie besimi i konsumatorëve në Zvicër, në nivelin më të ulët që nga nëntori i vitit 2023
Besimi i konsumatorëve në Zvicër ka shënuar rënie të ndjeshme, duke arritur nivelin më të ulët që nga nëntori i vitit 2023. Të dhënat e fundit tregojnë se qytetarët janë gjithnjë e më pesimistë për gjendjen e tyre financiare dhe mundësitë për shpenzime, një zhvillim që prek edhe familjet shqiptare që jetojnë dhe punojnë në këtë shtet.
Sipas të dhënave të publikuara nga Sekretariati Shtetëror për Ekonomi i Zvicrës (SECO), indeksi i besimit të konsumatorëve gjatë tetorit 2026 ka rënë në minus 44.9 pikë, krahasuar me minus 36.9 pikë në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
Rënia është vërejtur edhe në krahasim me muajin shtator, kur indeksi ishte minus 36.5 pikë.
Me rezultatin e tetorit, besimi i konsumatorëve ka arritur nivelin më të ulët në gati tre vjet, duke iu afruar vlerës së nëntorit 2023, kur kishte zbritur në minus 48 pikë, shkruan Watson, transmeton Telegrafi.
Shqetësuese paraqitet veçanërisht vlerësimi i qytetarëve për gjendjen e tyre financiare.
Indeksi që mat situatën financiare të kaluar ka rënë në minus 53.8 pikë, ndërsa ai për pritjet financiare në të ardhmen ka arritur në minus 44.7 pikë. Të dy treguesit kanë shënuar rënie prej më shumë se 10 pikësh krahasuar me tetorin e vitit 2025.
Ndërkohë, pritjet për zhvillimin e përgjithshëm ekonomik kanë mbetur pothuajse të pandryshuara, me një përmirësim të lehtë prej 0.9 pikësh, duke arritur në minus 48.2 pikë.
Indeksi i besimit të konsumatorëve publikohet çdo muaj nga SECO, bazuar në një anketë online. Gjatë muajit tetor në të kanë marrë pjesë 2,717 persona mbi moshën 16-vjeçare, të cilët janë përgjigjur në gjuhën gjermane, frënge ose italiane.
Të dhënat përbëjnë një sinjal shqetësues për ekonominë zvicerane, pasi pasqyrojnë pasigurinë e familjeve lidhur me financat personale dhe gatishmërinë për të shpenzuar.
Për shqiptarët që jetojnë në Zvicër, kjo situatë mund të ndikojë në planifikimin e buxhetit familjar, blerjet e mëdha dhe kursimet./Telegrafi/





























