Një qytetar nga Durrësi ka ngritur shqetësime serioze lidhur me shërbimin e ofruar nga klinika mjekësore “Linda”, duke treguar se laboratori i ka dhënë dy përgjigje krejtësisht të ndryshme për të njëjtën analizë.
Sipas denoncimit, fillimisht qytetari ka kryer një analizë urine, e cila ka rezultuar pozitive për infeksion. Me rekomandimin e mjekut, është kërkuar më pas kryerja e një urokulture për të përcaktuar më saktë praninë e infeksionit.
Pas dy ditësh, bashkëshorti i qytetares ka shkuar në laborator për të marrë përgjigjen e analizës. Sipas saj, infermierja i ka dorëzuar një rezultat negativ. I habitur nga përgjigjja, ai ka pyetur se si ishte e mundur që urokultura të rezultonte negative, kur analiza e mëparshme kishte evidentuar infeksionin.
Qytetarja thotë se, menjëherë pas këtij komunikimi, laboratori i ka dërguar asaj me SMS një tjetër përgjigje, këtë herë me rezultat pozitiv për të njëjtën analizë.
“Si është e mundur që për të njëjtën analizë të dalin dy rezultate krejtësisht të kundërta, njëri negativ dhe tjetri pozitiv?”, ngre shqetësimin qytetarja.
Por denoncimi nuk ndalet vetëm te kjo ngjarje. Ajo tregon se edhe në raste të mëparshme, pas kryerjes së analizave në të njëjtin laborator, kishte konstatuar se disa rezultate mungonin në dokumentacionin e dorëzuar. Pas kontaktimit të klinikës, sipas saj, i ishte thënë se përgjigjja do t'i sillhej më vonë.
Kjo situatë ka ngritur pikëpyetje te qytetarja edhe për mënyrën se si kryhen dhe përpunohen analizat në këtë laborator, duke vënë në dyshim besueshmërinë e rezultateve të marra ndër vite.
Ajo shprehet gjithashtu e pakënaqur me çmimet e larta të shërbimeve, ndërsa thekson se shqetësimi kryesor lidhet me sigurinë dhe besueshmërinë e analizave mjekësore.
Qytetarja thotë se, pavarësisht mospërputhjes së dy rezultateve, nga ana e laboratorit nuk është ofruar një shpjegim bindës dhe as nuk i është propozuar përsëritja e analizës për të sqaruar situatën.
Deri në një reagim zyrtar nga klinika, pretendimet mbeten të qytetares dhe kërkojnë verifikim.
