Në pranga u vu shtetasi K. B., 32 vjeç, banues në Tiranë, ndërsa pasagjeri M. Gj., 27 vjeç, u procedua penalisht për moskallëzim krimi dhe mallra kontrabandë.
Automjeti tip “Renault”, me të cilin udhëtonin dy të rinjtë, u ndalua në aksin rrugor Sarandë-Gjirokastër, pranë Urës së Kardhiqit. Gjatë kontrollit, policia zbuloi se ata po transportonin kundrejt pagesës një shtetas afgan, i cili kishte kaluar në mënyrë të paligjshme kufirin greko-shqiptar.
Nga verifikimet rezultoi se drejtuesi i automjetit kishte shkelur masën e sigurisë “Arrest në shtëpi”, të caktuar nga Gjykata e Tiranës për veprat penale “Largimi i të burgosurit nga vendi i qëndrimit” dhe “Shkatërrimi i pronës me zjarr”.
Ndërkohë, gjatë kontrollit të makinës u gjetën edhe dy çanta me veshje të ndryshme, të dyshuara si mallra kontrabandë, të cilat sipas policisë i përkisnin 27-vjeçarit.
Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan automjeti, dy çantat me veshje dhe dy telefona celularë. Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë për veprime të mëtejshme.













