Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka akuzuar kryeministrin Edi Rama se ka siguruar mjete të posaçme për të përballuar protestat e studentëve, përfshirë makinat që lëshojnë zhurma me intensitet të lartë, të cilat i cilësoi si mjete shurdhuese. Deklaratat Berisha i bëri në përgjigje të një pyetjeje të qytetarëve në rrjetet sociale lidhur me koston e dy autobotëve të ujit të sjellë nga qeveria për ndërhyrjen gjatë protestave.

Berisha tha se, përveç autobotëve, qeveria ka siguruar edhe mjete të tjera që, sipas tij, janë ndër më të kushtueshmet dhe përdoren kundër protestuesve. Ai pretendoi se makinat që hedhin ujë janë marrë nga Turqia dhe se përdorimi i tyre kundër protestuesve është i ndaluar për shkak të fuqisë së madhe të goditjes së ujit.

“Por ky ka sjellë, siç e dini ju, makinat e zhurmës së tmerrshme shurdhuese për protestuesit, i ka marrë si Vuçiçi në Beograd”, u shpreh kreu i PD-së.

Më tej, Berisha pretendoi se qeveria ka siguruar nga Serbia sasi të mëdha gazi lotsjellës të skaduar, të cilin e cilësoi si të ndaluar nga konventat ndërkombëtare për përdorim kundër protestuesve.

Sipas tij, kryeministri ka marrë këto masa pasi protesta studentore ka vijuar dhe është përballur me reagimin e autoriteteve. Berisha e cilësoi firmosjen e akteve të fundit nga qeveria si “akte të turpit”, duke akuzuar Ramën për përshkallëzim të masave kundër protestuesve.

Pretendimet e Berishës për origjinën, përdorimin dhe ligjshmërinë e këtyre pajisjeve nuk shoqërohen me dokumente apo prova në deklaratën e tij.

Berisha: Nuk ka sjellë vetëm autobotët, po ai ka sjellë mjetet nga më të kushtueshmet kundër studentëve.
Makinat thuhet se i ka marrë nga Turqia dhe thuhet që ato janë të ndaluara të përdoren kundër protestuesve për shkak të fuqisë së jashtëzakonshme që ka goditja e ujit.
Dhe ju e patë se çfarë saltoje bëri guximtari, heroi dje kur ata e gjuajtën direkt me një nga këto makinat që sollën.
Por ky ka sjellë, siç e dini ju, makinat e zhurmës së tmerrshme shurdhuese për protestuesit, i ka marrë si Vuçiçi në Beograd.
Ka marrë nga Serbia sasi kolosale gazi të skaduar, të ndaluar me të gjitha konventat për t’u përdorur kundër protestuesve.
Pra, ky e pa që revolta studentore po ja kthen patkonjtë, dhe në gramat e fundit firmosi aktet e turpit.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb