Zgjedhjet për presidentin e FIFA-s, të parashikuara të mbahen më 18 mars 2027 në Rabat të Marokut, mund të sjellin një emër të njohur të futbollit në garë përballë presidentit aktual Gianni Infantino. Bëhet fjalë për Arsene Wenger, ish-trajnerin legjendar të Arsenalit, i cili sipas të përditshmes franceze “L’Equipe” po shqyrton mundësinë për të kandiduar.
Infantino pritet të kërkojë një mandat të katërt në krye të qeverisë botërore të futbollit, por kundërshtia e shprehur nga UEFA në Kongresin e FIFA-s muajin e kaluar ka shtuar përpjekjet për të gjetur një kandidat që mund të përballet me zviceranin në zgjedhje.
Sipas “L’Equipe”, emri i Wengerit është përmendur gjithnjë e më shpesh si alternativë dhe ish-tekniku francez po shqyrton nëse do të bëjë hapin drejt kandidimit. Ai mund të marrë një vendim përfundimtar që javën e ardhshme.
Wenger punon në FIFA që prej vitit 2019, në pozicionin e drejtorit të zhvillimit global të futbollit. Gjatë kësaj periudhe, ai ka propozuar edhe ndryshime në rregullin e pozicionit jashtë loje, të njohura si “Ligji Wenger”, të cilat synojnë të ndryshojnë mënyrën se si përcaktohet pozicioni i parregullt. Propozimi po testohet në futbollin kanadez.
Ai ishte gjithashtu një nga ideatorët e Botërorit U15, të zhvilluar së fundmi në Baku, një kompeticion që, sipas raportimit, u vlerësua si i suksesshëm.
UEFA e sheh Wengerin si një prej emrave të mundshëm për të sfiduar Infantinon, por ai nuk është alternativa e vetme që po shqyrton organizmi evropian. Për t’u regjistruar zyrtarisht në garë, kandidatët duhet të paraqesin mbështetjen e të paktën pesë prej 211 federatave anëtare të FIFA-s.
Afati për zyrtarizimin e kandidaturave përfundon më 18 nëntor, ndërsa zgjedhjet do të zhvillohen më 18 mars 2027 në Marok.


