Efekti i “Rabbit Hole”- i humbjes në spiralen e informacionit po çon në një përplasje të re mes BE-së dhe TikTok-ut. Brukseli e akuzon aplikacionin se rrezikon shëndetin e përdoruesve. TikTok-ut i kanoset një gjobë e rëndë.
Sipas rezultateve paraprake hulumtuese të Komisionit Evropian, TikTok rrezikon përdoruesit e tij përmes rekomandimeve të videove në platformën e tij. Koncerni mund të përballet me një ndëshkim, pasi algoritmi i saj u shfaq edhe personave veçanërisht të cenueshëm një rrjedhë të pafund videosh të personalizuara, e cila mund të përkeqësojë problemet psikike, njoftoi autoriteti në Bruksel. Sipas Komisionit, algoritmi nxit rrezikun e varësisë, si edhe çrregullimet e të ngrënit dhe ankthin.
Komisioni Evropian e akuzon TikTok-un se nuk e ka kufizuar mjaftueshëm këtë rrezik. Sipas Brukselit, masat e deritanishme mbrojtëse kanë rezultuar të paefektshme. Edhe butoni “Nuk jam i interesuar” nuk mjafton për të ndryshuar rekomandimet në rrjedhën e videove (feed), thuhet në vlerësimin e Komisionit.
Në fokus “For You”
Fokusi i procedurës është veçanërisht faqja “For You”, e cila synon t’u shfaqë përdoruesve sa më shpejt përmbajtje që përputhen me interesat e tyre. Komisioni Evropian kërkon ndryshime në këtë funksion, pasi druhet nga të ashtuquajturat efekte “Rabbit Hole” (në shqip: efekti i vrimës së lepurit ose efekti i humbjes në spiralen e informacionit të përshkallëzuar).












