
Katër persona janë arrestuar dhe shtatë të tjerë janë proceduar penalisht pas protestës së zhvilluar një ditë më parë në Tiranë, ku pati përplasje me policinë, hedhje gurësh dhe lëndësh piroteknike, si dhe djegie të kazanëve të mbeturinave.
Sipas njoftimit të Policisë së Shtetit, në pranga kanë përfunduar K. N., 24 vjeç, M. K. dhe B. M., 19 vjeç, si dhe Z. N., 34 vjeç. Gjatë kontrolleve, policia ka sekuestruar një sasi kanabisi, një send metalik shpues, një objekt imitues të armës së zjarrit, 50 sfera metalike dhe mjete që dyshohet se janë përdorur për hedhjen e gurëve.
Policia njofton gjithashtu se ka vendosur 12 masa administrative në zbatim të Aktit Normativ nr. 5, datë 28 tetor 2026. Njëra prej tyre, në vlerën 500 mijë lekë, është vendosur ndaj një protestuesi që, sipas policisë, ishte i maskuar me kapuç dhe kishte goditur me gurë efektivët dhe godinën e Kryeministrisë.
Sipas njoftimit, punonjësit e policisë i kanë bërë disa thirrje për të ndërprerë veprimet e dhunshme dhe për t’u larguar nga tubimi, por ai nuk i ka respektuar ato.
Policia bën me dije se hetimet po vijojnë në bashkëpunim me Prokurorinë për dokumentimin e plotë të veprimeve të kundërligjshme, identifikimin e personave të tjerë të përfshirë dhe vënien e tyre përpara përgjegjësisë ligjore. Materialet procedurale janë referuar në Prokurori për veprime të mëtejshme.