Dogana e Durrësit ka vendosur një faturë prej 5.1 milionë eurosh ndaj kompanisë “Salillari”, pas konstatimit të shkeljeve në procedurat e importit të mbi 1.3 milionë kilogramëve naftë diesel, të deklaruar si karburant për ndërtimin e Bazës Ajrore të NATO-s në Kuçovë.
Vendimi nr. 626 i autoriteteve doganore përcakton lindjen e një borxhi doganor, pasi gjatë verifikimeve është konstatuar se kompania nuk kishte dokumentacionin specifik që autorizonte përjashtimin nga taksat për sasinë e karburantit të importuar.
Sipas dokumentacionit të administruar gjatë hetimit në Sektorin e Porto Romanos, “Salillari” kishte përfituar autorizimin nr. 14695 për importin e materialeve që do të përdoreshin ekskluzivisht për projektin e ndërtimit të bazës së NATO-s në Kuçovë. Ky regjim parashikonte përjashtimin nga TVSH-ja, akciza dhe taksat doganore për mallrat e përcaktuara për këtë projekt.
Por kontrollet në terren dhe verifikimet në sistemin kompjuterik Asycuda zbuluan se për rreth 1.3 milionë kilogramë naftë diesel 10ppm nuk ishte paraqitur një kërkesë specifike për përjashtim, e miratuar nga Agjencia e Mbështetjes dhe Prokurimit të NATO-s (NSPA).
Për mungesë të këtij autorizimi në momentin e zhdoganimit, Dogana e ka konsideruar sasinë e karburantit si mall të vendosur në qarkullim të lirë, pa përmbushur kushtet për përjashtimin nga detyrimet fiskale.
Detyrimi fillestar i papaguar është përllogaritur në 156 milionë lekë. Në këtë shumë përfshihen 60.4 milionë lekë akcizë, 48 milionë lekë TVSH, 42.7 milionë lekë taksë qarkullimi dhe 4.7 milionë lekë taksë karboni.
Për shkeljen administrative, të klasifikuar nga autoritetet si neglizhencë në respektimin e afateve dhe procedurave, në bazë të nenit 252 është aplikuar një sanksion sa dyfishi i detyrimit të munguar, në vlerën 312 milionë lekë.
Kështu, detyrimi fillestar dhe gjoba e vendosur e çojnë faturën totale ndaj kompanisë në 468 milionë lekë, ose rreth 5.15 milionë euro.
Nga ana tjetër, përfaqësuesit e “Salillarit” kanë refuzuar të nënshkruajnë procesverbalin. Në ankimimet administrative, ata kanë pretenduar se procedurat doganore janë të pavlefshme, pasi karburanti mbulohej nga marrëveshja kuadër mes Shqipërisë dhe NATO-s. Ky argument është rrëzuar nga autoritetet doganore.


