
Në vijim të veprimeve hetimore dhe procedurale, të kryera nën drejtimin e Prokurorisë, për dokumentimin ligjor të akteve të dhunës gjatë tubimit të zhvilluar ditën e djeshme, u arrestuan shtetasit:
Kevin Ndrevataj, 24 vjeç, Muhamet Karaj, 19 vjeç, Blerdjan Murati, 19 vjeç dhe Zef Nika, 34 vjeç.
Gjithashtu, u proceduan penalisht 7 shtetas.
Gjatë kontrollit fizik, shtetasit Kevin Ndrevataj iu gjetën një sasi lënde narkotike kanabis dhe një send metalik shpues, ndërsa gjatë kontrollit të banesës iu gjetën një send imitues i armës së zjarrit dhe 50 sfera.
Ndërkohë, në zbatim të Aktit Normativ nr. 5, datë 28.10.2026, konkretisht pikës 2 të nenit 24/1, janë plotësuar 12 procesverbale për konstatimin e kundërvajtjeve administrative të kryera gjatë tubimit të djeshëm.
Njëra prej masave administrative, në vlerën 500 000 lekë, është vendosur ndaj një shtetasi, i cili, i maskuar me kapuç, ka kryer veprime të dhunshme, duke goditur me gurë në drejtim të punonjësve të Policisë dhe godinës së Kryeministrisë. Punonjësit e Policisë i kanë bërë disa thirrje për ndërprerjen e veprimeve të dhunshme dhe shpërndarjen e tubimit, por ai nuk i ka respektuar këto thirrje.
Specialistët për Hetimin e Krimit, në bashkëpunim me Prokurorinë, vijojnë veprimet për dokumentimin e plotë të veprimeve të kundërligjshme të kryera gjatë tubimit, identifikimin e shtetasve të tjerë të përfshirë dhe vënien e tyre përpara përgjegjësisë ligjore.




