SHBA zgjeron bllokadën ndaj Iranit, krijon task-forcë për të ndërprerë furnizimet tokësore me armë

Botë | 14 minuta më parë

Komanda Qendrore e Ushtrisë Amerikane njoftoi krijimin e një task-force të re për të bllokuar rrugët tokësore të furnizimit të Iranit, duke zgjeruar kështu bllokadën detare ndaj porteve iraniane në Ngushticën e Hormuzit, e cila është në fuqi prej disa muajsh. Komandanti Brad Cooper, deklaroi se task-forca do të forcojë suksesin e bllokadës detare ndaj Iranit.

Me bazë në Tampa të Floridës, struktura do të bashkërendojë punën me agjenci të tjera të qeverisë amerikane për të parandaluar lëvizjen e sistemeve të avancuara të armëve, teknologjive me përdorim të dyfishtë, materialeve nën sanksione dhe burimeve të paligjshme të të ardhurave përmes kufijve tokësorë të Iranit dhe Detit Kaspik.

Ndërkohë, Komanda Qendrore e Ushtrisë Amerikane njoftoi se ka goditur edhe një anije tregtare në Gjirin e Omanit, në kuadër të bllokadës ndaj porteve iraniane. Sipas deklaratës së lëshuar prej saj, një avion ushtarak amerikan përdori municione me precizion të lartë kundër anijes tregtare duke e nxjerrë atë jashtë funksionit pasi forcat amerikane i kishin kërkuar ekuipazhit të largohej nga zonat e shënjestruara.

Ndërkohë, në Iran u raportuar disa shpërthime në zona të ndryshme, përfshirë ishullim Qeshm. Ndërsa marina e Gardës Revolucionare njoftoi se dy cisterna nafte kishin goditur mina detare pranë Ngushticës së Hormuzit, pasi kishin kaluar me sistemet e navigimit të fikura në një zonë të konsideruar të paautorizuar nga Teherani.

Më herët presidenti amerikan Donald Trump konfirmoi sulme të reja në ishullin Qeshm, por i cilësoi ato si të kufizuara. Ai deklaroi gjithashtu se Teherani vazhdon të kërkojë një marrëveshje paqeje, ndërsa negociatat me ndërmjetësimin e Katarit vijojnë.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme