Pas publikimit të listës së futbollistëve të grumbulluar për raundin e dytë të Kampionatit Europian U-19, trajneri i Shqipërisë, Fatjon Tafaj, ka dhënë një prononcim për fshf.org, ku ka folur për përgatitjet dhe sfidat ndaj Qipros e Armenisë.

Të lidhura
None found
Tafaj vlerësoi projektin për aktivizimin e lojtarëve të rinj në Abissnet Superiore dhe Kategorinë e Parë. Sipas tij, nëntë futbollistë të kampionatit shqiptar janë përfshirë në listë, ndërsa minutat e grumbulluara me ekipet e para kanë ndikuar në rritjen e tyre dhe kanë ndihmuar përgatitjet e Kombëtares U-19.
Trajneri kuqezi deklaroi se në përfaqësuese janë përzgjedhur lojtarët më të mirë të disponueshëm, duke theksuar se aktivizimi i tyre në nivelet e para të futbollit shqiptar ka ardhur gjithnjë në rritje.
Shqipëria do ta zhvillojë këtë turne me tre mungesa për arsye shëndetësore. Shehi ka pësuar dëmtim gjatë grumbullimit të fundit, kapiteni Gecaj vuan nga një tërheqje në kofshë, ndërsa Armir Borici, futbollist i AF Elbasanit, ka pësuar një dëmtim muskular. Të tre janë zëvendësuar nga lojtarë të tjerë me karakteristika pothuajse të njëjta.
Edhe përballë këtyre mungesave, Tafaj shprehu bindjen se ekipi ka cilësi të mjaftueshme për të synuar një paraqitje të mirë. Ai theksoi se pritshmëritë rriten kur një grup ka potencial dhe se objektivi i Shqipërisë do të jetë marrja e maksimumit të pikëve.
Trajneri nënvizoi gjithashtu se asnjë prej kundërshtarëve në nivel kombëtaresh nuk mund të konsiderohet i lehtë. Së bashku me stafin, ai tha se ka analizuar të dyja ekipet prej një muaji, duke evidentuar se Qiproja dhe Armenia kanë specifika të ndryshme. Për këtë arsye, skuadra është përgatitur në mënyrë të veçantë për secilën ndeshje.
Shqipëria U-19 do të përballet me Qipron më 11 nëntor dhe me Armeninë më 14 nëntor. Të dyja takimet do të nisin në orën 13:30 dhe do të luhen në stadiumin “Sotira Municipal Stadium”, në kuadër të raundit të dytë të Europianit U-19, Liga B.








