Shqiptarët e Luginës së Preshevës u janë drejtuar sot kutive të votimit për të zgjedhur përfaqësuesit e tyre në Këshillin Kombëtar Shqiptar. Në garë janë katër lista zgjedhore me 107 kandidatë, ndërsa të drejtë vote kanë 37.759 qytetarë.

Pas garës së përbashkët në zgjedhjet parlamentare në Serbi kundër Aleksandar Vuçiçit dhe subjekteve të tjera politike, partitë shqiptare në Luginën e Preshevës këtë herë garojnë kundër njëra-tjetrës.

Në këto zgjedhje do të përcaktohet përbërja e re e Këshillit Kombëtar Shqiptar (KKSH), një institucion që përfaqëson interesat e shqiptarëve në Serbi në fushat e arsimit, kulturës, informimit dhe përdorimit zyrtar të gjuhës shqipe.

Sipas listës së veçantë zgjedhore, të drejtë vote kanë 37.759 shqiptarë, të cilët do të zgjedhin 29 anëtarët e Këshillit.

Në garë janë katër lista zgjedhore:

  • LPD–PDSH, Lëvizja e Progresit Demokratik, me Shqiprim Musliun në krye të listës dhe 29 kandidatë.

  • PD–LR, Partia Demokratike, me Sali Salihin në krye të listës dhe 20 kandidatë.

  • PVD–AL, Partia për Veprim Demokratik, me 29 kandidatë.

  • APN, Alternativa për Ndryshim, me Levent Qazimin në krye të listës dhe 29 kandidatë.

Një nga ndryshimet kryesore të këtyre zgjedhjeve është rritja e numrit të anëtarëve të Këshillit Kombëtar Shqiptar nga 15 në 29. Ky ndryshim vjen pas më shumë se një dekade dhe lidhet me rezultatet e regjistrimit të popullsisë në Serbi në vitin 2022.

Çfarë vendoset nga këto zgjedhje?

Përmes votës, shqiptarët e Luginës zgjedhin përfaqësuesit që do të merren me çështje që lidhen drejtpërdrejt me ruajtjen e gjuhës dhe identitetit të tyre.

Këshilli Kombëtar Shqiptar ka kompetenca në arsimin në gjuhën shqipe, përfshirë tekstet shkollore, ruajtjen e trashëgimisë kulturore, mbështetjen e mediave në gjuhën shqipe dhe përdorimin zyrtar të shqipes në institucionet ku kjo e drejtë garantohet me ligj.

Këshilli është organ i vetëqeverisjes së pakicës kombëtare shqiptare në Serbi dhe përmes tij përfaqësohen interesat e komunitetit në këto fusha.

Në zgjedhjet parlamentare në Serbi të mbajtura më 25 tetor 2026, koalicioni i përbashkët i shqiptarëve të Luginës së Preshevës (Koalicioni Shqiptar) fitoi 2 mandate në Kuvendin e Serbisë