Një natë e trazuar ka qenë ajo e së dielës për banorët e Japonisë qendrore, pasi një tërmet me magnitudë 5.7 goditi disa zona të vendit, duke lënë pas të plagosur dhe dëmtime materiale. Lëkundjet e forta shkaktuan gjithashtu probleme në rrjetin hekurudhor, duke prekur edhe shërbimet e trenave me shpejtësi të lartë.

Tërmeti u regjistrua në orën 01:04 të mëngjesit, sipas kohës lokale, kur pjesa më e madhe e banorëve ndodheshin në gjumë. Agjencia Meteorologjike Japoneze bëri të ditur se epiqendra ishte në pjesën perëndimore të prefekturës Shizuoka, afërsisht 200 kilometra në perëndim të Tokios, ndërsa vatra sizmike ndodhej 40 kilometra nën sipërfaqen e tokës.

Pas lëkundjeve, autoritetet nisën verifikimin e pasojave në zonat e prekura. Mediat japoneze “Chunichi Shimbun” dhe “Tokai” raportuan se numri i personave të lënduar kishte arritur në 24, kryesisht në prefekturat Shizuoka dhe Aichi.

Në Aichi, shërbimet e emergjencës regjistruan 16 persona me dëmtime të lehta. Ndërsa në Shizuoka u konfirmuan të paktën tre të plagosur. Mes tyre ishte edhe një e moshuar 90-vjeçare, e cila u lëndua pasi ra nga shtrati gjatë lëkundjeve të tërmetit.

Pasojat nuk u kufizuan vetëm te lëndimet e banorëve. Në disa zona u konstatuan dëmtime në ndërtesa, përfshirë thyerjen e xhamave të dritareve, ndërsa autoritetet u përballën edhe me ndërprerje të përkohshme të transportit.

Një pjesë e shërbimeve hekurudhore u pezulluan për shkak të lëkundjeve sizmike. Mes linjave të prekura ishte edhe Shinkansen, sistemi i trenave me shpejtësi të lartë që përbën një nga shtyllat kryesore të transportit në Japoni.

Ngjarja riktheu vëmendjen te rreziku i vazhdueshëm sizmik me të cilin përballet vendi aziatik. Japonia shtrihet në një rajon ku takohen disa pllaka tektonike, duke u renditur mes territoreve me aktivitetin më intensiv të tërmeteve në botë.

Sipas të dhënave të cituara, rreth 18% e tërmeteve që ndodhin çdo vit në nivel global regjistrohen në rajonin e arkipelagut japonez.

Pavarësisht masave të avancuara të sigurisë dhe sistemeve të paralajmërimit, tërmetet mbeten një nga kërcënimet më serioze natyrore për Japoninë.

Në kujtesën e vendit vazhdon të mbetet tragjedia e 11 marsit 2011, kur një tërmet me magnitudë 9.0 u pasua nga një cunami shkatërrues. Fatkeqësia la rreth 18,500 persona të vdekur ose të zhdukur dhe shkaktoi një krizë të rëndë në centralin bërthamor të Fukushimës.

Tërmeti i fundit ka rikthyer shqetësimin për sigurinë e banorëve dhe qëndrueshmërinë e infrastrukturës, ndërsa autoritetet po vijojnë vlerësimin e pasojave në prefekturat e goditura.