Përpljasjet në protestë, 12 masa administrative dhe 4 arrestime në Tiranë

Policia e Tiranës ka arrestuar 4 persona dhe ka proceduar penalisht 7 të tjerë, në vijim të hetimeve për aktet e dhunës të regjistruara gjatë tubimit të zhvilluar ditën e djeshme në kryeqytet.
Sipas Policisë, gjatë protestës disa pjesëmarrës kundërshtuan dhe goditën me sende të forta dhe lëndë piroteknike punonjësit e Policisë, bllokuan qarkullimin dhe dogjën kazanë mbeturinash.
Në pranga kanë rënë shtetasit K. N., 24 vjeç, M. K., 19 vjeç, B. M., 19 vjeç dhe Z. N., 34 vjeç, ndërsa 7 persona të tjerë janë proceduar penalisht.
Gjatë kontrollit fizik të njërit prej të arrestuarve, K. N., policia gjeti një sasi lënde narkotike kanabis dhe një send metalik shpues. Ndërsa gjatë kontrollit në banesën e tij u sekuestruan një send imitues i armës së zjarrit dhe 50 sfera metalike.
Në kuadër të zbatimit të Aktit Normativ nr. 5, datë 28.10.2026, Policia ka vendosur gjithashtu 12 masa administrative për kundërvajtjet e konstatuara gjatë tubimit.
Njëra prej gjobave, në vlerën 500 mijë lekë, është vendosur ndaj një shtetasi, i cili, i maskuar me kapuç, ka goditur me gurë në drejtim të punonjësve të Policisë dhe godinës së Kryeministrisë. Sipas uniformave blu, ai nuk ka respektuar as thirrjet e përsëritura të efektivëve për të ndërprerë veprimet e dhunshme dhe për t’u shpërndarë.
Policia bën me dije se hetimet vijojnë në bashkëpunim me Prokurorinë për identifikimin e personave të tjerë të përfshirë në akte të kundërligjshme dhe vënien e tyre përpara përgjegjësisë ligjore.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë për veprime të mëtejshme.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.



