Prokuroria e Fierit ka përfunduar hetimet dhe ka dërguar për gjykim kompaninë “Sekilda” sh.p.k. dhe administratorin e saj, Seferin Lazeraj, të akuzuar për veprën penale “Fshehja e të ardhurave”.
Sipas njoftimit zyrtar të Prokurorisë, hetimet kanë zbuluar se gjatë viteve 2017–2018, kompania nuk ka deklaruar të ardhura në vlerën 133.4 milionë lekë për vitin 2017, si dhe nuk ka dorëzuar librat e shitjes dhe të blerjes.
Të lidhura
None found
Ndërkohë, detyrimi i përgjithshëm i kompanisë ndaj buxhetit të shtetit, duke përfshirë gjobat dhe interesat, sipas Drejtorisë Rajonale Tatimore Fier, arrin në 112.6 milionë lekë, ose mbi 1 milion euro.
Njoftimi i prokurorisë:
Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier përfundoi hetimet dhe dërgon në gjyq Shoqërinë ‘S’ sh.p.k., dhe administratorin e saj, shtetasin S.L., të akuzuar për veprën penale ‘Fshehja e të ardhurave’ parashikuar nga neni 180, paragrafi 3, i Kodit Penal.
Në përfundim të hetimeve të procedimit penal nr. 1150, të vitit 2021, përfshirë kontrollet tatimore, të dhënat bankare, të dhënat e deklaruara nga klientët e shoqërisë dhe aktin e ekspertimit kontabël, rezulton se gjatë viteve 2017–2018 kjo shoqëri nën drejtimin e administratorit të saj shtetasit S.L, nuk ka deklaruar të ardhura në vlerën 133.415.631 lekë për vitin 2017 dhe nuk ka dorëzuar librat e shitjes dhe të blerjes, duke i shkaktuar buxhetit të shtetit dëm të konsiderueshëm, si shkak i evazionit fiskal.
Sipas aktit të ekspertimit kontabël, detyrimi tatimor i shmangur për periudhën objekt akuze arrin në 48.834.581 lekë, nga të cilat 46.695.471 lekë (TVSH dhe Tatim mbi Fitimin) për vitin 2017 dhe 2.139.110 lekë TVSH për vitin 2018. Detyrimi total i shoqërisë ndaj buxhetit të shtetit, përfshirë gjobat dhe interesat, sipas Drejtorisë Rajonale Tatimore Fier, është 112.604.938 lekë.
Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier mbetet e angazhuar në hetimin dhe ndjekjen penale të veprave penale në fushën tatimore, të cilat dëmtojnë buxhetin e shtetit dhe konkurrencën e ndershme ndërmjet tatimpaguesve.







