Mbi 1.1 mln € borxh ndaj shtetit, Prokuroria çon në gjyq kompaninë dhe administratorin
Prokuroria e Fierit ka përfunduar hetimet për një shoqëri tregtare dhe administratorin e saj, duke vendosur dërgimin e çështjes për gjykim për veprën penale të “Fshehjes së të ardhurave”. Sipas organit të akuzës, kompania dyshohet se ka fshehur të ardhura dhe ka shmangur detyrimet tatimore, duke krijuar një detyrim të përgjithshëm ndaj shtetit prej më shumë se 1.1 milionë eurosh.
Në kuadër të procedimit penal nr. 1150, të regjistruar në vitin 2021, hetimet kanë përfshirë aktivitetin financiar të shoqërisë “S” sh.p.k. për periudhën 2017–2018. Nga verifikimet rezulton se vetëm gjatë vitit 2017, subjekti nuk ka deklaruar të ardhura në vlerën 133.415.631 lekë. Gjithashtu, kompania nuk ka dorëzuar librat e shitjeve dhe blerjeve, duke mos përmbushur detyrimet ligjore për deklarimin e aktivitetit ekonomik.
Përmes kontrolleve tatimore, analizimit të të dhënave bankare, informacioneve të siguruara nga klientët dhe ekspertimit kontabël, hetuesit kanë evidentuar një detyrim tatimor të shmangur prej 48.834.581 lekësh për vitet 2017–2018.
Nga kjo shumë, 46.695.471 lekë lidhen me detyrimet për Tatimin mbi Vlerën e Shtuar (TVSH) dhe Tatimin mbi Fitimin për vitin 2017, ndërsa 2.139.110 lekë përfaqësojnë detyrime të papaguara të TVSH-së gjatë vitit 2018.
Megjithatë, detyrimi i përgjithshëm financiar i shoqërisë është edhe më i lartë. Sipas të dhënave të Drejtorisë Rajonale Tatimore Fier, duke përfshirë edhe gjobat dhe interesat e akumuluara, borxhi ndaj buxhetit të shtetit ka arritur në 112.604.938 lekë, një vlerë që kalon 1.1 milionë euro.
Në përfundim të hetimeve, Prokuroria ka marrë vendimin për të dërguar në gjykatë shoqërinë tregtare dhe administratorin e saj, të identifikuar me inicialet S.L. Ata do të përballen me akuzën e “Fshehjes së të ardhurave”, të parashikuar nga neni 180, paragrafi 3, i Kodit Penal.
Prokuroria e Fierit ka bërë të ditur se do të vijojë hetimet për shkeljet penale në fushën tatimore, duke vënë në fokus rastet që dëmtojnë financat publike dhe krijojnë konkurrencë të pandershme mes subjekteve tregtare.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



