
Deputetja e Partisë Demokratike, Ina Zhupa, ka reaguar pas konfirmimit të nisjes së hetimeve nga SPAK për librin e saj “Albanian Files”, të prezantuar më 24 qershor 2026. Zhupa thotë se që në momentin e publikimit e kishte paralajmëruar se botimi do të shndërrohej në një dosje për Prokurorinë e Posaçme dhe do të sillte përgjegjësi për kryeministrin Edi Rama.
Sipas deputetes, libri përmban të dhëna për 523 projekte të realizuara nga studio ndërkombëtare, për të cilat ajo kërkon të hetohet mënyra e përzgjedhjes, mungesa e konkurrencës së hapur dhe dyshimet për paracaktim. Zhupa ngre gjithashtu pikëpyetje mbi lidhjet mes arkitektëve, investitorëve dhe vendimmarrjes shtetërore, si dhe pretendon se janë miratuar ligje në funksion të interesave të investitorëve të privilegjuar.
Në reagimin e saj, deputetja e cilëson territorin si të trajtuar “si plaçkë për t’u ndarë” dhe pretendon se ligjet dhe institucionet janë përdorur për t’iu përshtatur interesave të investitorëve të favorizuar nga kryeministri.
Zhupa thekson se nisja e procedimit nuk është e mjaftueshme dhe kërkon që SPAK ta çojë hetimin deri në fund. “Prova e SPAK nuk është regjistrimi i një procedimi, por t’i shkojë deri në fund. Nëse hetimi bëhet real, ‘Albanian Files’ do ta çojë Ramën në burg!”, shkruan ajo.