Një punonjës i Policisë së Shtetit, pranë Drejtorisë Vendore të Policisë Shkodër, i është drejtuar redaksisë sonë me një denoncim anonim, duke ngritur shqetësimin për trajtimin financiar të efektivëve që prej javësh janë në shërbim të rendit dhe sigurisë publike.
Sipas denoncimit, efektivët po punojnë prej më shumë se një muaji deri në 12 orë në ditë, ndërsa në fund të muajit marrin një pagë prej rreth 70 mijë lekësh, pa përfshirë pagesën e orëve shtesë, orëve të natës dhe kompensimin për ushqimin.
Punonjësi ngre pikëpyetje edhe pas deklaratave të Kryeministrit Edi Rama për rritjen e pagave të punonjësve të Policisë së Shtetit gjatë kësaj periudhe protestash.
Sipas tij, ndërkohë që për disa efektivë të angazhuar drejtpërdrejt në vijën e parë të protestave flitet për pagesa që nisin nga 2.500 euro, për punonjësit e tjerë që kanë qenë në gatishmëri dhe kanë përballuar orare të zgjatura shërbimi, nuk gjenden fonde për kompensimin e orëve të punës.
“Ne nuk kërkojmë të përfitojmë të njëjtën pagesë prej 2.500 eurosh si efektivët që kanë qenë në vijën e parë të protestave. Kërkojmë vetëm të na paguhen orët shtesë, orët e natës dhe kompensimi për ushqimin. Nuk mund të na thuhet vazhdimisht se nuk ka fonde, ndërkohë që ne vazhdojmë të punojmë me orare të zgjatura”, shprehet efektivi në denoncimin e tij.
Ai ngre gjithashtu pyetjen se ku mbetet vlerësimi për punonjësit që prej javësh janë në shërbim, larg familjeve dhe në gatishmëri për garantimin e rendit publik.
“Ne nuk kërkojmë privilegje, por të drejtat që na takojnë për punën që kryejmë”, përfundon denoncimi i punonjësit të policisë, i cili ka kërkuar që identiteti i tij të mbetet anonim.
Denoncimi i plotë:
Mirmengjes Jam nje punojes policie i drejtoris te shkodres me funksion trup sherbimi per rendin. Dua te bej nje denoncim tek faqja juaj duke ju besuar per anonimitetin dhe ruajtjen e privatesis.
Joq pas deklarates te Kryeministrit Edi Rama se punonjësve të Policisë së Shtetit do t’u rritet paga gjatë kësaj periudhe protestash dua te them qe realiteti është ndryshe!
Prej një muaji punojmë nga 12 orë në ditë dhe në fund të muajit marrim vetëm 70,000 lekë pagë! Pa pagesën e orëve shtesë, pa orët e natës dhe pa kompensimin e ushqimit.t
Dhe kane pretekstin qe nuk ka shteti fonde nderkohe per policet qe kane qene ne proteste kane fonde te nisin nga 2500€
Ku është vlerësimi për sakrificën tonë?
Nuk kërkojmë privilegje, por të drejtën tone! Nuk them qe te paguajne 2500€ dhe per ne qe kemi qene ne gatishmeri te protestes njesoj si ato qe kane qene ne proteste ne vije te pare por kerkoj qe leket e oreve shtese , leket e oreve te nates dhe te ushqimeve te na i paguajne
Te lutem anonim