Gazetarët dhe subjektet mediatike në Shqipëri vijojnë të përballen me padi të pabazuara për shpifje, të njohura si SLAPP, të cilat konsiderohen si padi që synojnë t’i frikësojnë apo të nxisin vetëcensurën në punën e tyre. Nga 333 vendime gjyqësore të analizuara për periudhën 2022-2026, në 171 prej tyre janë identifikuar tregues të rrezikut nga paditë strategjike kundër pjesëmarrjes publike, ndërsa 50 raste që përbëjnë 15% të kampionit klasifikohen me rrezik të lartë si padi SLAPP.
Të dhënat u publikuan të premten nga Qendra “Res Publica” gjatë prezantimit të studimit “Liria e shprehjes në praktikën gjyqësore 2022–2026: Si pasqyrohet jurisprudenca e GJEDNJ-së nga gjykatat shqiptare”, i përgatitur nga ekspertët Dorian Matlija dhe Irena Dule.
Studimi përfshin 333 vendime civile, penale, administrative dhe kushtetuese nga viti 2022 deri në 31 korrik të këtij viti. Në 190 prej vendimeve, ose 57 për qind të totalit, janë të përfshirë gazetarë, subjekte mediatike ose aktorë të tjerë që ushtrojnë funksion informues publik.
Të dhënat e bëjnë median grupin më të ekspozuar ndër palët e identifikuara në konfliktet gjyqësore që lidhen me lirinë e shprehjes. Por rëndësia e studimit qëndron edhe te mënyra se si këto procese përdoren dhe çfarë kostoje mund të prodhojnë përtej rezultatit përfundimtar të gjykimit.
Në rastet që konsiderohen si padi me tregues si SLAPP, raporti evidenton se të paditurit përballen me kërkesa të larta financiare, procese të shumëfishta ndaj të njëjtit publikim dhe zvarritje gjyqësore që mund të prodhojnë vetëcensurë, edhe në rastet kur media e fiton çështjen.












