Një sulm kibernetik ka goditur sistemet informatike të kompanisë BBT SE, përgjegjëse për ndërtimin e tunelit hekurudhor të Brennerit, që do të lidhë Italinë me Austrinë. Dyshimet paraprake për autorësinë e sulmit lidhen me grupin rusishtfolës “Everest”, i njohur për vjedhjen e të dhënave dhe shantazhimin e kompanive.
Ngjarja ka ndodhur në mesin e tetorit, por është bërë publike më 7 nëntor nga gazeta austriake Tiroler Tageszeitung. Kompania ka konfirmuar ndërhyrjen në një pjesë të sistemeve të saj, duke bërë të ditur se rrjeti i prekur është izoluar dhe për hetimin janë angazhuar ekspertë të sigurisë kibernetike.
Ende nuk dihet se çfarë të dhënash mund të jenë marrë nga hakerat dhe nëse është kërkuar shpërblim. Megjithatë, BBT SE ka siguruar se sulmi nuk ka ndikuar në punimet për ndërtimin e tunelit.
Sulm kibernetik edhe ndaj Smartbox
Një tjetër incident është raportuar nga kompania Smartbox, e cila ka zbuluar më 3 nëntor një hyrje të paautorizuar në platformën e saj. Të dhënat që mund të jenë ekspozuar përfshijnë emrat dhe adresat e emailit të klientëve, ndërsa kompania ka sqaruar se fjalëkalimet dhe informacionet bankare nuk janë prekur.
Europol thërret takim urgjent
Ndërkohë, për shkak të shtimit të sulmeve kibernetike dhe alarmeve për bomba në avionë në Itali, Europol pritet të organizojë javën e ardhshme një takim me përfaqësues të policive europiane.
Hetimet do të përqendrohen te identifikimi i autorëve dhe lidhjet e mundshme mes incidenteve, si dhe te kërcënimet hibride që mund të synojnë infrastrukturën kritike dhe sigurinë e vendeve europiane.
Sulmi ndaj kompanisë që ndërton tunelin e Brennerit rikthen shqetësimet për mbrojtjen e projekteve strategjike europiane nga kërcënimet kibernetike.