
Gjykata e Breshias ka caktuar masën e sigurisë “arrest në burg” për Eduart Xhanin, 21-vjeçarin me origjinë shqiptare, i akuzuar për vrasjen e nënës së tij, 39-vjeçares Meleqe Lusha. Aktualisht, i riu ndodhet i shtruar në Spitalin Civil të Breshias, nën mbikëqyrjen e policisë, ndërsa pas daljes nga spitali pritet të transferohet në burg. Sipas mediave italiane, ndaj tij po tregohet kujdes i shtuar për shkak të shqetësimeve se mund të tentojë të dëmtojë veten.
Ngjarja e rëndë ndodhi më 2 nëntor, në banesën e familjes në Chiari, në provincën e Breshias. Një ditë më vonë, Xhani u paraqit në një kazermë të karabinierëve në Kremona, ku deklaroi se kishte vrarë nënën e tij. Pas këtij rrëfimi, efektivët shkuan në banesë dhe gjetën trupin e pajetë të 39-vjeçares.
Gjatë marrjes në pyetje, 21-vjeçari ka deklaruar se fillimisht kishte menduar t’i jepte fund jetës, pasi, sipas tij, nuk arrinte të gjente vendin e vet në një botë që e konsideronte të padrejtë. Më pas, dyshohet se ka sulmuar nënën me thikë, duke e goditur disa herë në kraharor dhe në bark.
Pas krimit, Xhani është larguar me automjetin e tij, një “Audi A1”, ndërsa mëngjesin e ditës pasuese është dorëzuar në polici. Deri më tani, ai nuk ka dhënë një shpjegim të qartë për motivin e vrasjes. Sipas raportimeve të mediave italiane, mes nënës dhe djalit nuk ishin evidentuar konflikte të mëparshme.