E diel, 8 Nëntor 2026 Megi dhe Bianka deri në 10:00 Në vijim ora 10:00: Film Family Reklamo Kontakt Karriera
Vizion Plus
Sociale

Tërmet i fortë në Japoni, të paktën 22 të plagosur (VIDEO)

Një tërmet i fortë ka goditur Japoninë qendrore në orët e para të së dielës, duke shkaktuar panik te banorët, dëme materiale dhe të paktën 22 persona të plagosur, raportojnë mediat lokale.

Agjencia Meteorologjike e Japonisë e vlerësoi tërmetin me magnitudë 5.7.

Pas lëkundjes kryesore janë regjistruar edhe disa pasgoditje.

Pamjet e transmetuara nga televizionet japoneze treguan vitrina të thyera dyqanesh dhe copëza xhamash të shpërndara në rrugë. Në një librari, qindra libra kishin rënë nga raftet, duke mbuluar dyshemenë.

Tërmeti u regjistrua në orën 01:04 të mëngjesit, me kohën lokale.

Ndërkohë, Agjencia Meteorologjike e Japonisë u ka bërë thirrje qytetarëve të tregojnë kujdes gjatë ditëve në vijim, pasi ekziston mundësia e tërmeteve të tjera të forta, veçanërisht gjatë dy ose tre ditëve të ardhshme.

Japonia ndodhet në një zonë me aktivitet të lartë sizmik dhe përballet shpesh me tërmete. Autoritetet u bëjnë vazhdimisht thirrje qytetarëve të mbajnë rezerva me ujë, ushqime dhe bateri, si dhe të kenë një plan emergjence për t’u mbrojtur në rast lëkundjesh të forta.

Vazhdo të lexosh

Reklamë

Lini një koment

Me respekt — komentet moderohen nga redaksia.
Nuk publikohet kurrë.