
Dy parashutistë me përvojë kanë humbur jetën të premten në Kaliforninë Jugore, pasi parashutat e tyre u ngatërruan pas një përplasjeje në ajër gjatë një hedhjeje të organizuar, përcjell Fox News.
Viktimat janë identifikuar si Georgia Jean, 56 vjeçe, nga Box Elder, në Dakotën e Jugut, dhe Levi Pimentel, 29 vjeç, nga Aurora, në Illinois. Të dy ishin parashutistë të licencuar dhe po merrnin pjesë në një aktivitet të organizuar nga kompania “Skydive Elsinore”, në qytetin Lake Elsinore, rreth 120 kilometra në juglindje të Los Anxhelosit.
Sipas kompanisë, pjesa e rënies së lirë dhe hapja e parashutave kishin vijuar normalisht. Megjithatë, kur ndodheshin rreth 45 metra mbi tokë, dy parashutistët u përplasën në ajër, duke bërë që parashutat e tyre të ngatërroheshin.
Të dy pësuan dëmtime të rënda dhe u transportuan me ambulancë në spital, ku më vonë u shpallën të vdekur. Departamenti i Zjarrfikësve i Qarkut Riverside konfirmoi se viktimat kishin pësuar dëmtime traumatike.
“Nga përplasja parashutat e tyre u ngatërruan dhe të dy pësuan dëmtime kritike kur arritën në tokë”, thuhet në deklaratën e kompanisë “Skydive Elsinore”.
Sipas profilit të saj në LinkedIn, Pimentel punonte si instruktore kryesore e hedhjeve me parashutë në qendrën iFLY Naperville, në Illinois. Ndërsa Jean kishte kryer më shumë se 1 700 hedhje me parashutë, sipas faqes së saj të internetit.