Gjermania nuk do t’i japë Ukrainës sisteme të tjera Patriot, pasi transferimi i tyre do të linte boshllëqe në mbrojtjen e vet. Kështu deklaroi ministri gjerman i Mbrojtjes, Boris Pistorius, në një intervistë për grupin mediatik Funke.
Pistorius tha se Berlini i ka dhënë Kievit disa sisteme Patriot dhe një sasi të konsiderueshme raketash për të ndalur sulmet ajrore ruse. Por, sipas tij, aktualisht vendi nuk ka mundësi të dërgojë pajisje të tjera të këtij lloji.
Të lidhura
None found
“Furnizimi, veçanërisht me sisteme Patriot, është i vështirë. Gjermania ka dorëzuar tashmë disa sisteme dhe shumë raketa. Tani për tani nuk mund të bëjmë më tepër. Pajisjet që do të dërgonim nuk do të mund t’i zëvendësonim për një periudhë të caktuar, duke krijuar boshllëqe në mbrojtjen tonë që nuk mund t’i pranojmë”, u shpreh ministri.
Kreu i mbrojtjes gjermane vuri në dukje se disa aleatë kanë dhënë më pak ndihmë për Ukrainën se Berlini dhe kërkoi që partnerët ndërkombëtarë të rrisin furnizimet me armatime e pajisje ushtarake.
Ai kërkoi që çështja të trajtohet gjerësisht në takimin e radhës të Grupit të Kontaktit për Ukrainën, i planifikuar për mesin e nëntorit. Pistorius u shpreh gjithashtu se nuk pret që një armëpushim në Ukrainë të arrihet së shpejti.
Që nga fillimi i pushtimit rus, Gjermania është ndër mbështetësit kryesorë të Kievit. Të dhënat e publikuara tregojnë se Berlini ka dhënë rreth 43.3 miliardë euro ndihmë humanitare dhe 57.6 miliardë euro mbështetje ushtarake.
Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky ka paralajmëruar për pasojat e mungesës së raketave Patriot, ndërsa ka raportuar se sulmet e fundit ruse kanë shkaktuar dëme të konsiderueshme.
Në një postim në rrjetin X, Zelensky tha se sulmet balistike ruse ndaj Ukrainës vazhdojnë dhe se mungesa e raketave për Patriotët ka dobësuar aftësinë e vendit për t’u mbrojtur nga goditjet ajrore.
Ai shtoi se Ukraina prodhon më shumë energji elektrike sesa konsumon, por sulmet ndaj nënstacioneve dhe rrjetit të shpërndarjes kanë sjellë mungesa të mëdha të energjisë në Kiev dhe në rajone të tjera.
Sipas Zelenskyt, Rusia ka shtuar goditjet ndaj urave mbi lumin Dnipro, në zonën nga Kievi deri në Zaporizhia. Ai tha se gjatë natës, Ura Veriore e Kievit u godit nga katër prej gjashtë raketave balistike të drejtuara drejt saj.
Presidenti njoftoi se Ukraina do të marrë pjesë gjatë nëntorit në disa takime të rëndësishme ndërkombëtare, mes tyre G7, Koalicioni i të Gatshmëve dhe formati Ramstein. Synimi, tha ai, është sigurimi i mbështetjes më të madhe, sidomos për mbrojtjen ajrore dhe sektorin e energjisë.
Nga ana tjetër, Rusia njoftoi se gjatë natës rrëzoi 142 dronë ukrainas mbi disa rajone të vendit dhe Detin Azov.







