Hetimet për sulmin e përgjakshëm në Krakov të Polonisë, ku humbën jetën gjashtë persona dhe disa të tjerë mbetën të plagosur, kanë nxjerrë në dritë detaje të reja. Tre persona të tjerë janë gjetur të pajetë në banesën e autorit të dyshuar.
Lajmin e bëri të ditur kryeministri polak, Donald Tusk, gjatë një konference për shtyp. Sipas tij, viktimat e gjetura në banesë janë dy gra dhe një burrë, të cilët dyshohet se kanë lidhje familjare me autorin.
Më herët, qeveria polake e cilësoi ngjarjen si sulm terrorist, duke bërë të ditur se 25-vjeçari i dyshuar kishte mbajtur qëndrime të ekstremit të djathtë.
Autori ndodhet në gjendje të rëndë në spital, pasi u qëllua nga policia gjatë ndërhyrjes për ta neutralizuar.
Sulmi ndodhi në një shesh qendror të Krakovës, ku mbetën të vrarë gjashtë persona dhe disa të tjerë u plagosën. Zbulimi i tre viktimave në banesën e të dyshuarit ka shtuar pikëpyetjet mbi motivet dhe rrethanat e ngjarjes.


