Një tjetër e shtunë protestash është zhvilluar në disa qytete të Italisë, ku mijëra qytetarë kanë dalë në rrugë për të kundërshtuar rritjen e kostos së jetesës, shtrenjtimin e qirave, shpenzimet për riarmatimin dhe shkurtimet në arsim e shëndetësi.
Demonstrata u zhvilluan në Torino, Milano, Romë, Bolonjë, Xhenova, Firence, Udine dhe Leçe, ndërsa protesta më e madhe u regjistrua në Torino, ku morën pjesë rreth 3 mijë persona. Në marshime u përfshinë studentë, punëtorë, mësues dhe fermerë, të cilët kërkuan më shumë mbështetje ekonomike dhe mbrojtje të shërbimeve publike.
Në Torino, protestuesit marshuan me pankarta kundër kostos së lartë të jetesës dhe politikave të riarmatimit, ndërsa pati edhe thirrje kundër kryeministres Giorgia Meloni dhe ministrit Matteo Salvini.
Demonstrata përfundoi pa incidente.
Ndërkohë, në Milano studentët organizuan një tjetër protestë, ndërsa në Arco della Pace u zhvillua aktiviteti “Takso të pasurit”, ku kërkohej një barrë më e madhe fiskale për shtresat më të pasura.
Në Romë, marshimi nisi nga Kodra Esquilino drejt Forumeve Perandorake, ndërsa në Xhenova protestuesit kundërshtuan riarmatimin dhe shkurtimet në shërbimet publike.
Pavarësisht pjesëmarrjes së gjerë, demonstratat në qytetet italiane u zhvilluan përgjithësisht në mënyrë paqësore, pa përplasje të mëdha me policinë.












