Saturday / November 7 / 2026
Revista Monitor Logo
hamburger menu icon

mbyll

close icon
Ads
Lajmet Kryesore Nga Vendi Rajoni Western Balkans Monitor

Ekskluzive, VIP-at e Ballkanit Perëndimor; renditja e kompanive më të mëdha në rajon

Share Share Icon

Për herë të parë, “Monitor” boton renditjen rajonale të 50-100 kompanive më të mëdha të Ballkanit Perëndimor, sipas të ardhurave. Serbia dominon me gjigantët e energjisë, minierave dhe industrisë, ndërsa Maqedonia e Veriut spikat për kompanitë automotive që prodhojnë për Europën. Në Shqipëri, miliardat qarkullojnë kryesisht në tregtinë e karburanteve, energjetikë dhe ndërtim; në Bosnjë-Hercegovinë, një zinxhir supermarketesh është biznesi më i madh. Kosova dhe Mali i Zi mbështeten tek energjetika, tregtia dhe konsumi. Supermarketet po bëhen gjigantët e rinj të rajonit, ndërsa pak kompani vendase kanë arritur të zgjerohen përtej kufijve. Gjashtë ekonomi, gjashtë modele biznesi, por sa prej tyre prodhojnë vërtet vlerë dhe sa thjesht xhiro?

 

Ornela Liperi

Në Ballkanin Perëndimor, madhësia e biznesit nuk tregon gjithmonë sa prodhon një ekonomi. Serbia ka gjigantët e energjisë dhe minierave, Maqedonia e Veriut kompanitë e industrisë automotive që punojnë për tregjet europiane, ndërsa Shqipëria ka në krye tregtuesit e karburanteve dhe kompanitë energjetike.

Në Bosnjë-Hercegovinë, një zinxhir supermarketesh është bërë sipërmarrja më e madhe, ndërsa në Kosovë dhe Mal të Zi mbizotërojnë energjetika, tregtia dhe shërbimet.

Këto janë disa nga karakteristikat që dalin nga analiza e kompanive më të mëdha të gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor për vitin 2025.

Për herë të parë “Monitor” boton renditjen rajonale të 50-100 kompanive më të mëdha të Ballkanit Perëndimor, sipas të ardhurave, mbi bazën e të dhënave financiare të publikuara në vendet përkatëse.

Kjo renditje realizohet në kuadër të rubrikës “Western Balkans Monitor”, që sjell analiza krahasuese për vendet e Ballkanit Perëndimor dhe shkrime të dedikuara nga korrespondentët tanë në Kosovë, Serbi, Maqedoninë e Veriut, Mal të Zi dhe Bosnjë-Hercegovinë. Ky sesion mbështetet nga Programi Rajonal i GIZ-it #SustainMedia, i financuar nga Bashkimi Europian (BE) dhe Qeveria Gjermane (BMZ)[1].

Informacioni përfshin vetëm bizneset, pa institucionet financiare (banka e sigurime) që janë klasifikuar në një renditje të veçantë (lexo në fund pas listave të 6 vendeve).

Serbia dominon për nga madhësia e bizneseve, por Maqedonia e Veriut spikat për peshën e kompanive prodhuese. Dhjetë sipërmarrjet më të mëdha serbe realizuan rreth 17.6 miliardë euro të ardhura, pothuajse gjysmën e qarkullimit të 60 kompanive të përfshira në 10 më të mëdhatë në renditjet kombëtare.

Kjo lidhet me përmasat e ekonomisë serbe, që me një PBB prej rreth 89 miliardë eurosh është afërsisht sa gjysma e ekonomisë së gjithë Ballkanit Perëndimor.

Kompania më e madhe në rajon është prodhuesi publik serb i energjisë elektrike, EPS, me 3.93 miliardë euro të ardhura. Ajo ndiqet nga kompania e naftës NIS, me 2.27 miliardë euro, ndërsa në dhjetëshen më të madhe të Serbisë janë edhe dy gjigantët kinezë të industrisë minerare, “Serbia Zijin Copper” dhe “Serbia Zijin Mining”, me përkatësisht 1.94 dhe 1.82 miliardë euro të ardhura.

Energjia dhe karburantet zënë një vend të rëndësishëm në pothuajse të gjitha ekonomitë e rajonit. Natyra e këtyre aktiviteteve, ku tregtohen vëllime të mëdha mallrash me vlerë relativisht të lartë, bën që qarkullimi të jetë shumë i madh, edhe kur numri i punonjësve është i kufizuar. Për këtë arsye, renditja sipas të ardhurave nuk përkon domosdoshmërisht me atë të punësimit apo të vlerës së shtuar në ekonomi.

Kontrasti më interesant është mes Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut. Ndonëse ekonomia maqedonase është rreth 40% më e vogël se ajo shqiptare, kompania e saj më e madhe, “Johnson Matthey”, realizoi 1.82 miliardë euro të ardhura, pothuajse dyfishin e “Kastrati Energy Trade”, që kryeson në Shqipëri me rreth 917 milionë euro. (shiko nënndarjen: Maqedonia e Veriut vs. Shqipëria, e para punësim, e dyta xhirim parash).

“Johnson Matthey” prodhon katalizatorë për industrinë e automjeteve dhe është një nga shembujt më të dukshëm të modelit maqedonas të tërheqjes së investimeve prodhuese përmes zonave të lira ekonomike. Në dhjetëshen e kompanive më të mëdha të vendit janë edhe “Kromberg & Schubert” dhe “VDL Bus Macedonia”, të lidhura me industrinë automotive.

Në Shqipëri, përkundrazi, renditja dominohet nga tregtia e karburanteve, shpërndarja dhe prodhimi i energjisë elektrike, tregtia me shumicë e pakicë. Industria përpunuese mungon në dhjetëshen më të madhe, duke reflektuar dobësinë e bazës prodhuese. Sipas të dhënave të Eurostat, industria sjell vetëm rreth 10% të PBB-së në Shqipëri, kundrejt 17–18% në Serbi, Maqedoninë e Veriut dhe Bosnjë-Hercegovinë.

Në Bosnjë-Hercegovinë, vendin e parë e mban “Bingo”, me rreth 1.18 miliardë euro të ardhura, një rast i veçantë ku një zinxhir supermarketesh ka tejkaluar kompanitë publike të energjisë dhe tregtuesit e mëdhenj të karburanteve. Megjithëse vendi ka një bazë industriale të konsiderueshme, në renditjen e dhjetë kompanive me qarkullimin më të lartë dominojnë tregtia dhe energjetika.

Në Kosovë, kompania më e madhe është KESCO, në pronësi të grupeve turke “Limak” dhe “Çalık”, që ka si aktivitet furnizimin me energji elektrike në Kosovë, me 437 milionë euro të ardhura.

Në Mal të Zi kryeson “Elektroprivreda Crne Gore”, operatori shtetëror i prodhimit, tregtisë dhe furnizimit me energji elektrike, me 412 milionë euro. Në të dyja vendet, zinxhirët e tregtisë me pakicë zënë gjithashtu një pjesë të rëndësishme të renditjes, duke reflektuar ekonomitë e orientuara më shumë drejt konsumit dhe shërbimeve.

Dallimet mes kompanive nuk janë të rastësishme, por pasqyrojnë mënyrën se si janë zhvilluar ekonomitë e rajonit. Serbia ka përfituar nga madhësia e tregut dhe baza industriale, Maqedonia e Veriut nga investimet e huaja në prodhim, ndërsa Bosnjë-Hercegovina nga tradita industriale, veçanërisht në përpunimin e metaleve dhe industrinë e drurit, si dhe nga zhvillimi i zinxhirëve të mëdhenj të tregtisë me pakicë.

Mali i Zi orientohet nga turizmi dhe shërbimet, ndërsa Shqipëria ka orientuar një pjesë gjithnjë e më të madhe të aktivitetit drejt ndërtimit, tregtisë dhe shërbimeve. Kosova varet nga konsumi, tregtia dhe shërbimet, të mbështetura në masë të konsiderueshme nga remitancat e emigrantëve.

 

Një treg rajonal, por jo ende biznese të integruara

Ndonëse Ballkani Perëndimor synon të funksionojë si një treg i përbashkët prej rreth 17 milionë konsumatorësh, kompanitë më të mëdha të gjashtë vendeve vazhdojnë të jenë kryesisht të orientuara drejt tregjeve kombëtare.

Në renditjet e vitit 2025, rastet e investimeve të ndërsjella janë relativisht të kufizuara, ndërsa shumë më e dukshme është prania e filialeve të grupeve ndërkombëtare, që operojnë paralelisht në disa shtete.

Integrimi i kapitalit vendas është më i zhvilluar në shpërndarjen e mallrave të konsumit, logjistikë, telekomunikacion dhe tregti. Serbia ka disa nga kompanitë me shtrirjen më të gjerë rajonale, të favorizuara edhe nga përmasat e ekonomisë së saj.

Grupi serb “Nelt”, i specializuar në shpërndarjen e mallrave të konsumit dhe logjistikë, është i pranishëm në pothuajse gjithë Ballkanin Perëndimor. Në vitin 2025, “Nelt Co.” në Serbi realizoi 1,01 miliardë euro të ardhura, ndërsa filialet në Mal të Zi dhe Shqipëri përkatësisht 70 dhe 42 milionë euro. Grupi operon edhe në Kosovë, Maqedoninë e Veriut dhe Bosnjë-Hercegovinë.

“Delta Holding”, gjithashtu me origjinë serbe, ka zgjeruar aktivitetin përtej tregut vendas në shpërndarje, bujqësi, logjistikë dhe tregti elektronike, përfshirë platformën “Ananas”.

Në renditjen e Serbisë, “Delta Agrar” realizoi rreth 288 milionë euro të ardhura. Edhe “Milšped”, kompania serbe e transportit dhe logjistikës, me rreth 402 milionë euro të ardhura, ofron shërbime në Shqipëri, Mal të Zi dhe Bosnjë-Hercegovinë.

Në industrinë ushqimore, “Imlek”, që në prill 2026 u ble nga investitorë serbë, ka ndërtuar prej vitesh një rrjet rajonal përmes blerjes së kompanive të qumështit, përfshirë “Bimilk” në Maqedoninë e Veriut dhe “Mlijekoprodukt” në Bosnjë-Hercegovinë. Në vitin 2025, “Imlek” në Serbi realizoi rreth 296 milionë euro të ardhura, ndërsa “Imlek Boka” në Mal të Zi, 35.6 milionë euro.

Ky është një nga rastet kur zgjerimi ka ndodhur përmes integrimit të aktiviteteve prodhuese dhe jo vetëm tregtimit të mallrave.

Në telekomunikacion, “Telekom Srbija” ka një nga strukturat më të mëdha të biznesit rajonal. Grupi, me 1.67 miliardë euro të ardhura në Serbi, kontrollon operatorin “Mtel” në Bosnjë-Hercegovinë dhe zotëron 51% të MTEL në Mal të Zi, ndërsa 49% tjetër zotërohet nga operatori boshnjak i kontrolluar prej tij.

Kompania malazeze realizoi rreth 183 milionë euro të ardhura në vitin 2025.

Tregtia me pakicë ka krijuar gjithashtu rrjete që operojnë në disa shtete. “Sport Vision”, grup i zhvilluar nga rajoni, ka dyqane në Serbi, Mal të Zi, Shqipëri, Maqedoninë e Veriut dhe tregje të tjera.

Në renditjet e vitit 2025, kompania në Serbi realizoi rreth 205 milionë euro të ardhura, ndërsa ajo në Mal të Zi, rreth 40 milionë euro. Në tregtinë e pajisjeve elektronike, “Comtrade Distribution” kishte rreth 347 milionë euro të ardhura në Serbi dhe 32 milionë euro në Mal të Zi.

Edhe kompanitë nga Bosnjë-Hercegovina kanë zgjeruar aktivitetin në tregjet fqinje, sidomos në Mal të Zi. “Hifa-Oil”, me 523 milionë euro të ardhura në Bosnjë-Hercegovinë, operon në tregun malazez përmes “Hifa Oil CG”, që realizoi 57 milionë euro. Kompania e shpërndarjes së mallrave të konsumit “ATACO”, me 281 milionë euro të ardhura në Bosnjë-Hercegovinë, është e pranishme në Mal të Zi përmes një filiali me rreth 28 milionë euro qarkullim.

Nga Shqipëria, BALFIN është një nga grupet me shtrirjen më të gjerë në rajon, përmes tregtisë së pajisjeve elektronike, pasurive të paluajtshme dhe aktiviteteve të tjera. Vetëm rrjeti “Neptun” realizoi rreth 97 milionë euro të ardhura në Shqipëri dhe 103 milionë euro në Maqedoninë e Veriut, ndërsa grupi është i pranishëm edhe në Kosovë.

Edhe kompania shqiptare “NOA Energy Trade”, e specializuar në tregtimin dhe furnizimin me energji elektrike, është zgjeruar në Kosovë, ku filiali i saj renditet ndër dhjetë kompanitë më të mëdha të vendit sipas të ardhurave në vitin 2025.

Një zhvillim më i fundit është zgjerimi i kapitalit të Kosovës përmes “Viva Fresh”. Grupi, që realizoi 370 milionë euro të ardhura në Kosovë, bleu “SPAR Albania” në vitin 2025 për 36.4 milionë euro, ndërsa në Maqedoninë e Veriut ka marrë licencën për zhvillimin e rrjetit SPAR, duke shfrytëzuar edhe aktivitetet ekzistuese të grupit në këtë treg.

Ky është një rast ku një kompani e rritur në një ekonomi relativisht të vogël po ndërton një rrjet tregtar me shtrirje rajonale.

Megjithatë, shumë nga emrat që përsëriten në renditjet e kompanive më të mëdha të vendeve të Ballkanit Perëndimor nuk përfaqësojnë investime të ndërsjella të kapitalit vendas. GEN-I është grup slloven, “Lidl”, gjerman, “A1” austriak, ndërsa “Coca-Cola HBC”, “Philip Morris”, “Lukoil” dhe “dm” janë pjesë e grupeve ndërkombëtare.

Në këto raste, kompanitë e pranishme në disa vende drejtohen nga të njëjtat struktura mëmë jashtë Ballkanit Perëndimor.

Amer Kapetanović, Sekretar i Përgjithshëm i Këshillit të Bashkëpunimit Rajonal (RCC), një organizatë rajonale që synon forcimin e bashkëpunimit ekonomik dhe politik mes vendeve të Europës Juglindore, nxitjen e integrimit rajonal dhe përshpejtimin e afrimit të tyre me Bashkimin Europian, tha se ndërsa revista “Monitor” po përgatit renditjen e kompanive më të mëdha në rajon, ia vlen të shtrojmë pyetjen se si duhet të duket kjo renditje pas dhjetë vjetësh.

“Sa prej kompanive tona kryesore do të ushtrojnë aktivitet në disa ekonomi të rajonit? Sa prej tyre do të kenë krijuar rrjete rajonale furnitorësh, do të kenë zhvilluar teknologjitë e tyre apo do të kenë ndërtuar marka të njohura ndërkombëtarisht? Kemi nevojë për më shumë kompani të tilla.

Kompanitë e fuqishme rajonale mund të përfshijnë furnitorët më të vegjël në rrjete më të gjera prodhimi, të investojnë në inovacion, të krijojnë vende pune më të mirëpaguara dhe të tërheqin partnerë ndërkombëtarë”, pohoi z. Kapetanović në një opinion, shkruar posaçërisht për Monitor”.

 

 

Bankat dhe sigurimet, integrimi më i zhvilluar rajonal

Në sektorin bankar, shtrirjen më të gjerë e kanë grupet ndërkombëtare, si “Raiffeisen”, OTP, “Intesa Sanpaolo” dhe “UniCredit”. Grupi slloven NLB është i pranishëm në pesë nga gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor, me një xhiro të përbashkët prej 871 milionë eurosh në vitin 2025.

Shqipëria është i vetmi treg i rajonit ku grupi nuk operon ende, por NLB ka shprehur interes për të hyrë edhe në tregun shqiptar. “Ambicia jonë është të kemi operacione bankare në të gjitha tregjet e Ballkanit Perëndimor”, u shpreh Blaž Brodnjak, CEO i grupit NLB, në një intervistë për revistën “Monitor” në shkurt 2026.

Sipas tij, hyrja në Shqipëri do të plotësonte praninë rajonale të grupit dhe do të forconte rrjetin e integruar financiar, duke mbështetur flukset ndërkufitare të kapitalit.

Nuk mungojnë as investimet e drejtpërdrejta ndërmjet vendeve të rajonit. Grupi serb AIK operon në Serbi dhe Mal të Zi, përmes “AIK Banka” dhe “Hipotekarna Banka”, me të ardhura të përbashkëta prej 447 milionë eurosh.

Banka shtetërore serbe “Poštanska Štedionica” është e pranishme edhe në Republikën Srpska të Bosnjë-Hercegovinës, ndërsa BKT operon në Shqipëri dhe Kosovë, me të ardhura totale prej 334 milionë eurosh. Megjithëse është bankë me origjinë shqiptare, BKT kontrollohet nga kapitali turk.

Integrimi rajonal është i dukshëm edhe në sigurime, ku 10 grupet më të mëdha kontrollojnë rreth 73% të primeve të shkruara bruto. Grupi shtetëror serb “Dunav”, më i madhi në rajon me 445 milionë euro prime, operon në Serbi dhe Republikën Srpska të Bosnjës.

Grupi shqiptar “Sigal Insurance Group” është një nga rastet më të rëndësishme të zgjerimit të kapitalit nga një vend i Ballkanit Perëndimor drejt tregjeve fqinje. Grupi kryeson tregjet e sigurimeve në Shqipëri dhe Kosovë, ndërsa është i pranishëm edhe në Maqedoninë e Veriut.

Në vitin 2025, “Sigal” realizoi 136 milionë euro prime të shkruara bruto në rajon dhe 25.7 milionë euro fitim para tatimit.

Një prani të konsiderueshme kanë edhe grupet sllovene “Triglav” dhe “Sava”, krahas grupeve austriake “Vienna Insurance Group” dhe “Grawe”, të cilat operojnë në disa tregje të Ballkanit Perëndimor.

 

Zinxhirët e supermarketeve, gjigantët që po dominojnë tregtinë në Ballkan

Në një rajon ku kompanitë më të mëdha zakonisht lidhen me energjinë, naftën dhe industrinë, zinxhirët e supermarketeve janë kthyer në disa prej bizneseve me qarkullimin më të lartë.

Nga Serbia në Bosnjë-Hercegovinë e Maqedoni të Veriut, nga Mali i Zi në Kosovë e Shqipëri, tregtia ushqimore po përqendrohet gjithnjë e më shumë te rrjetet e mëdha, që po fitojnë terren ndaj dyqaneve tradicionale dhe një peshë në rritje në ekonomi.

Rasti më domethënës është Bosnjë-Hercegovina, ku “Bingo”, me 1.18 miliardë euro të ardhura në vitin 2025, është kompania më e madhe në vend, duke lënë pas edhe operatorët e energjisë dhe tregtuesit e naftës. Në listën e kompanive më të mëdha janë edhe “Tropic Maloprodaja” dhe “Konzum”, me përkatësisht 408 dhe 374 milionë euro të ardhura.

Në Serbi, dy zinxhirët ndërkombëtarë “Delhaize” dhe “Lidl” realizuan së bashku mbi 2.5 miliardë euro të ardhura. “Delhaize”, me 1.44 miliardë euro, është operatori më i madh i supermarketeve në Ballkanin Perëndimor, i ndjekur nga “Bingo” dhe “Lidl Serbia”, ky i fundit me 1.08 miliardë euro.

Por tregu serb ka edhe operatorë të tjerë të mëdhenj, si “IDEA Marketi”, me 780 milionë euro, “Univerexport”, me 378 milionë euro dhe “Aman”, me rreth 300 milionë euro. Së bashku, këto pesë kompani të tregtisë ushqimore realizojnë afro 4 miliardë euro qarkullim.

Në ekonomitë më të vogla, pesha e supermarketeve është gjithashtu e dukshme. Në Mal të Zi, tre prej dhjetë kompanive më të mëdha janë zinxhirë të tregtisë ushqimore: “Voli Trade” (390 milionë euro), “Hard Discount Laković” (294 milionë euro) dhe “IDEA-CG” (276 milionë euro).

Në Maqedoninë e Veriut, KAM dhe “Kipper Market” realizuan përkatësisht 334 dhe 257 milionë euro të ardhura.

Në Kosovë, “Viva Fresh” është një nga kompanitë më të mëdha në vend, me rreth 370 milionë euro të ardhura, ndërsa “Proex” (Interex) realizoi rreth 241 milionë euro.

Në Shqipëri, tregu është ende në zhvillim, teksa operatori më i madh qarkullim më të ulët se në Mal të Zi dhe Kosovë, që janë tregje me më pak konsumatorë. “Big Market” në Shqipëri kryeson ndër zinxhirët e identifikuar në renditje, me 292 milionë euro, i ndjekur nga “SPAR Albania”, me 232 milionë euro, përfshirë edhe aktivitetin e franshizës.

Zgjerimi i këtyre rrjeteve në Ballkan lidhet me kalimin gradual nga tregtia tradicionale te format moderne të shitjes, investimet në logjistikë, blerjet në sasi të mëdha dhe fuqinë më të lartë negociuese me furnitorët. Rritja e konsumit dhe përhapja e modeleve të shitjes me çmime të ulëta (discount) kanë favorizuar gjithashtu kompanitë që arrijnë të ulin kostot dhe të rrisin vëllimet e shitjeve.

Por dominimi i supermarketeve në renditjet e kompanive më të mëdha nuk është një fenomen vetëm ballkanik. Edhe në ekonomitë e zhvilluara, tregtia ushqimore krijon gjigantë që konkurrojnë për nga qarkullimi me kompanitë industriale dhe energjetike.

Sipas renditjes SEE TOP 100 të “SeeNews”, “Lidl Discount” në Rumani ishte kompania e tretë më e madhe në Europën Juglindore për vitin 2024, me pothuajse 5 miliardë euro të ardhura, pas gjigantit energjetik “OMV Petrom” dhe prodhuesit të automjeteve “Dacia”.

Në SHBA, “Walmart” kryesonte renditjen e “Fortune 500” të vitit 2025, ndërsa në Europë, grupi gjerman “Schwarz”, pronar i “Lidl” dhe “Kaufland”, realizoi 185.6 miliardë euro të ardhura në vitin financiar 2025, sipas burimeve zyrtare të kompanisë.

Edhe “Tesco” në Britani është një nga kompanitë me qarkullimin më të lartë në vend.

Gjithsesi, në ekonomitë më të zhvilluara, zinxhirët e supermarketeve konkurrojnë me një bazë të gjerë gjigantësh industrialë, teknologjikë dhe financiarë.

Në Ballkanin Perëndimor, ku industria është më pak e zhvilluar dhe tregjet janë më të vogla, këto rrjete arrijnë të tejkalojnë një pjesë të madhe të kompanive prodhuese.

 

Dominojnë rrjetet vendase, “Lidl” pritet të shtojë konkurrencën

Pavarësisht zgjerimit të rrjeteve ndërkombëtare, shumë prej zinxhirëve më të mëdhenj vazhdojnë të jenë në pronësi vendase.

“Bingo” në Bosnjë-Hercegovinë, “Voli Trade” dhe “Hard Discount Laković” në Mal të Zi, KAM dhe “Kipper Market” në Maqedoninë e Veriut, “Viva Fresh” në Kosovë dhe “Big Market” në Shqipëri janë shembuj të sipërmarrjeve vendase që kanë arritur të konkurrojnë me operatorët ndërkombëtarë.

Përjashtimet më të dukshme janë “Delhaize” (holandezo-belge) dhe “Lidl” (gjermane) në Serbi.

Ndërkohë, tregu po njeh edhe zgjerim ndërkufitar të kompanive vendase. Në vitin 2025, “Viva Fresh” nga Kosova bleu “SPAR Albania” nga grupi BALFIN për 36.4 milionë euro, duke krijuar një nga shembujt e investimeve rajonale në tregtinë ushqimore.

Në mes të vitit 2026 Spar Albania bleu po në Shqipëri rrjetin e marketeve “Eco Market” dhe nënshtroi një marrëveshje me Kombinatin e Mishit Yzberisht për blerjen e marketeve me përmasa mbi 300 metra katror.

Gjithsej janë blerë 16 markete te ECO dhe 6 markete të KMY. Përmes dy blerjeve të fundit, Spar Albania ka përforcuar më tej pozicionin e kompanisë në rrjetin e tregtimit me pakicë, duke arritur një numër total pikash prej 124, përfshirë franshizën sipas burimeve zyrtare.

Kompania nga Kosova po zgjerohet dhe në tregun e Maqedonisë së Veriut. Pasi “Viva Fresh” bleu në vitin 2022 zinxhirin e Maqedonisë së Veriut, “Kit GoGrupi”, në 2026-n, sipas burimeve zyrtare ka marrë edhe licencën për operimin e markës SPAR në Maqedoninë e Veriut, ku synon të shndërrojë 65 dyqane ekzistuese në rrjetin SPAR.

Konkurrenca pritet të forcohet më tej me zgjerimin e “Lidl” në Ballkanin Perëndimor. Zinxhiri gjerman, i pranishëm prej vitit 2018 në Serbi, po përgatit hyrjen në Shqipëri prej disa vitesh.

Kompania ka marrë statusin e investitorit strategjik për ndërtimin e një qendre logjistike në Porto Romano, ndërsa në përgjigjen për “Monitor” konfirmoi interesin për potencialin e tregut shqiptar, pa dhënë një datë për hapjen e dyqaneve.

“Lidl” po investon gjithashtu në Bosnjë-Hercegovinë dhe Maqedoninë e Veriut, ku ka nisur ndërtimin e pikave të shitjes dhe infrastrukturës logjistike. Planet e zgjerimit përfshijnë edhe Malin e Zi dhe Kosovën, megjithëse në këto tregje nuk ka ende një kalendar të konfirmuar të hapjes së dyqaneve.

Hyrja e një operatori ndërkombëtar të modelit discount mund të intensifikojë konkurrencën për çmimet, furnitorët dhe pjesën e tregut, duke ushtruar presion mbi rrjetet ekzistuese.

 

Kliko këtu për t’u regjistruar falas për të lexuar specialen e plotë për renditjen e kompanive më të mëdha në Ballkan për vitin 2025:

Monitor Special Edition | Ranking the Largest Companies in the Western Balkans in 2025

 

 

 

 

[1] Ky sesion mbështetet nga Programi Rajonal i GIZ-it #SustainMedia, i financuar nga Bashkimi Europian (BE) dhe Qeveria Gjermane (BMZ). Pikëpamjet e shprehura në këtë seksion janë të autorëve dhe nuk pasqyrojnë domosdoshmërisht qëndrimet e BE-së ose të BMZ-së.

 

LEXONI EDHE:

 

Ekonomia shqiptare pa prodhim, e varur nga ndërtimi; Kontrasti me Maqedoninë e Veriut dhe Serbinë

 

50 kompanitë më të mëdha në Maqedoninë e Veriut; “Not” në ujëra të trazuara ekonomike

 

100 VIP sipas të ardhurave dhe fitimeve në Serbi; rritje e ngadaltë mes pasigurive politike

 

Renditja e 100 të mëdhenjve; Rritja e Malit të Zi fsheh dobësitë strukturore të ekonomisë

 

Të mëdhenjtë e Bosnjë-Hercegovinës: Rritje e moderuar ekonomike dhe sfida strukturore

 

10 më të mëdhenjtë e Kosovës; Ekonomia, mes krizave institucionale dhe nevojës për rritje

Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Ekskluzive Monitor Top 1,000

Publikohen për herë të parë treguesit financiarë të 1000 kompanive më të mëdha në vend. Renditja e grupeve kryesore!

Eksploro Top List
Live Now

Lajme të Ngjashme

100 VIP-at sipas të ardhurave dhe fitimeve në Serbi; rritje e ngadaltë mes pasigurive politike

Ekonomia serbe u përball gjatë vitit 2025 me presione të forta të brendshme dhe të jashtme, duke regjistruar ritmin më të ulët të rritjes që nga pa...

10 minutes më parë 15 Min Lexim

Renditja e 100 të mëdhenjve; Rritja e Malit të Zi fsheh dobësitë strukturore të ekonomisë

Ekonomia e Malit të Zi është rritur ndjeshëm që nga pavarësia, por mbetet e varur nga konsumi, turizmi, tregtia, ndërtimi dhe pasuritë e paluajtshm...

12 minutes më parë 17 Min Lexim
Ads
collaps icon

Rrisni limitin e artikujve në 400 në muaj FALAS! Regjistrohu Falas!

Rrisni limitin e artikujve në 400 në muaj FALAS!

Si përdorues i paregjistruar, mund të lexoni vetëm 200 artikuj në muaj. Mund ta rrisni këtë limit duke krijuar një llogari FALAS në faqen tonë.

Regjistrohu FALAS!