Një konflikt mes disa personave ka degjeneruar në përplasje fizike pasditen e sotme në zonën e “Ujit të Ftohtë” në Vlorë.
Ngjarja ka ndodhur pak minuta më parë, ndërsa raportohet se njëri prej personave të përfshirë në sherr ka pasur me vete edhe një mjet prerës, thikë.
Pas mbërritjes në vendngjarje, efektivët e policisë kanë ndërhyrë për të shuar konfliktin. Gjatë ndërhyrjes, një prej personave është larguar me vrap, duke bërë që policia të qëllojë me armë zjarri në ajër për ta ndaluar.
Megjithatë, personi nuk është ndalur, por është arrestuar nga efektivët disa metra më tutje. Ndërkohë, të gjithë personat e përfshirë në konflikt janë shoqëruar në polici.
Nga përplasja nuk raportohet për persona të lënduar.
Top Channel