Të paktën gjashtë persona kanë humbur jetën dhe 15 të tjerë kanë mbetur të plagosur pas të shtënave me armë zjarri në qendër të qytetit të Krakovit, në Poloni. Ngjarja e rëndë ndodhi të shtunën, më 7 nëntor, pranë sheshit kryesor të qytetit, duke shkaktuar panik dhe mobilizimin e forcave të shumta të policisë dhe shërbimeve të emergjencës.
Sipas raportimeve paraprake, mes viktimave janë katër gra dhe dy burra. Ndërkohë, bilanci i të plagosurve arrin në 15 persona, mes të cilëve edhe dy efektivë policie. Gjendja shëndetësore e njërit prej tyre raportohet kritike.
🚨JUST IN: Active shooter In Krakow,Poland MANY KILLD, MANY INJURED A man dressed in camouflage driving around in a black car shooting people at random https://t.co/fMmHsVY8Bv
— Svilen Georgiev (@siscostwo) November 7, 2026
Autori i dyshuar është arrestuar nga policia. Sipas Ministrisë së Brendshme polake, bëhet fjalë për një shtetas polak, i cili mbeti gjithashtu i plagosur gjatë ndërhyrjes së forcave të rendit dhe u transportua në spital për të marrë ndihmë mjekësore.
Gjatë operacionit të arrestimit, i dyshuari tentoi të largohej dhe pati shkëmbim zjarri me efektivët e policisë. Pamjet që po qarkullojnë në rrjetet sociale tregojnë momentin kur ai ndodhet i shtrirë në asfalt, me fytyrën e mbuluar, ndërsa një polic i drejton armën dhe i kërkon të mos lëvizë.
Autoritetet kanë bërë të ditur se nuk po kërkohen persona të tjerë të dyshuar në lidhje me sulmin.
Për shkak të numrit të madh të të plagosurve, në zonë mbërritën me urgjencë ekipet mjekësore, ndërsa në operacion u përfshi edhe një helikopter mjekësor, i cili u ul pranë sheshit kryesor për të ndihmuar në transportimin e të dëmtuarve drejt spitaleve.
Tusk: Po hetohen të gjitha rrethanat e sulmit
Kryeministri polak, Donald Tusk, reagoi pas ngjarjes tragjike, duke shprehur shqetësimin për bilancin e viktimave dhe të plagosurve. Ai bëri të ditur se po informohet vazhdimisht për zhvillimet dhe se autoritetet po hetojnë të gjitha rrethanat dhe motivet e mundshme të sulmit.
Edhe presidenti i Polonisë, Karol Nawrocki, shprehu solidaritetin me viktimat, të plagosurit dhe familjarët e tyre, duke kërkuar zbardhjen e plotë të ngjarjes.

Ndërkohë, dëshmitarët kanë rrëfyer momentet e panikut që përjetuan. Një grua që ndodhej në një hotel pranë vendit të ngjarjes tregoi se fillimisht kishte dëgjuar të shtënat nga dhoma e saj, pa kuptuar se çfarë po ndodhte.

Vetëm pas një telefonate nga administrata e hotelit, ajo dhe personat e tjerë u informuan për incidentin me armë zjarri. Atyre iu kërkua të qëndronin brenda dhomave dhe të mos dilnin deri në një njoftim të dytë.
Autoritetet polake vijojnë hetimet për të përcaktuar motivet e sulmit dhe rrethanat e plota të tragjedisë, ndërsa zona ku ndodhën të shtënat mbetet nën masa të shtuara sigurie.


