Nuk janë ende aty ku duhet, por në krahasim me fillimin, ndryshimi është i madh.
Në një sezon tepër të ekuilibruar të Superligës, Tirana arriti një tjetër fitore, duke lënë pas humbjen ndaj Egnatias kampione, e duke mundur një nga ekipet më të mirë të kampionatit deri tani.
Teuta u mposht me rezultatin minimal 1-0 në “Selman Stërmasi”, ndërsa kryeqytetasit arritën fitoren e parë që nga 17 tetori, duke lënë pas serinë prej tri sfidash pa rezultat pozitiv.
Rekordmenët e titujve luajtën fort ndaj një rivali të fortë, duke qenë më në fund në stadiumin e tyre pasi disa ndeshje shtëpiake I luajtën në Vorë, dhe kjo padyshim që ndikoi për keq.
Në pjesën e parë, të dyja skuadrat patën raste dhe portierët bënë pritje, ndërsa sulmuesit gabuan.
Pas pushimit, tiranasit fituan penallti pasi Hazrollaj hyri në zonë dhe pati dyluftim me Boçin.
Gjithsesi, portieri francez I Teutës, Bernardoni, bëri mrekullinë, ndërsa më pas durrsakët këmbëngulën, duke qenë edhe në moment të mirë psikologjik.
Gjithsesi, nuk shënuan, edhe pse Umeijego I pati mundësitë, madje në fund e pësuan.
Ndërsa u duk se gjithçka do të përfundonte në barazim dhe dy numrat 1, Bekaj e Bernardoni ishin të pakalueshëm, Tirana goditi kur nuk pritej.
Daci shfrytëzoi asistin e Xhixhës dhe kaloi bardheblutë në epërsi.
Pas kësaj fitoreje, kryeqytetasit e trajnerit kroat, Klafuriç kanë 15 pikë, duke qenë pranë Dinamos së vendit të tretë që ka 17.
Durrsakët, ndërkaq, pas një fillimi shumë të mirë kanë pësuar tri humbje radhazi, mbetet në 20 pikë, dhe trajneri Edlir Tetova është i shqetësuar nga mungesa e shënjestrës para portës.










