Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, ka komentuar thirrjet e protestuesve kundër kreut të PD-së, Sali Berisha, të cilët kërkojnë arrestimin e tij njësoj si kryeministrit Edi Rama.
Në një intervistë për News24, Tabaku deklaroi se jo të gjitha këto thirrje janë spontane dhe se një pjesë e tyre mund të stimulohen nga parti të vogla politike që, sipas saj, kërkojnë protagonizëm.
“Jo të gjitha këto thirrje janë organike. Ka forca të vogla politike që e stimulojnë. Mund të ketë edhe qytetarë, mund të mos u pëlqej edhe unë”, u shpreh Tabaku.
Ajo theksoi se zgjedhja e kryetarit të një partie politike bëhet nga anëtarësia dhe jo nga protestuesit në shesh, duke shtuar se debati për drejtimin e PD-së është konsumuar tashmë brenda partisë.
Tabaku nënvizoi se kërkesat kryesore të protestës nuk kishin të bënin me Partinë Demokratike, por me anulimin e katër ligjeve, krijimin e një qeverie teknike, ndryshimin e sistemit zgjedhor dhe dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama.
“Jo të gjitha këto thirrje janë organike. Ka forca të vogla politike që e stimulojnë. Mund të ketë edhe qytetarë, mund të mos iu pëlqej edhe unë. Ndonjëherë jemi edhe me anëtarë të PD dhe i shoh që mërziten e nxehen, përpiqem t’u them se kemi objektiv Ramën. Në një parti politike nuk e zgjedh sheshi se cili është kryetari, por anëtarët. Por mendoj se ne e kemi ezauuruar këtë debat në PD. Kanë qenë 4 vite ku kryetari i PD është zgjedhur dy herë, është debat i brendshëm. Kur e kërkojnë nga jashtë, duhet të shohë pjesën e ofertës së tij politike.
Mendoj se edhe ato thirrje që mund të jenë të stimuluara, të izoluara, kanë një kërkesë kryesore. Dhe po të dëgjosh edhe kërkesat zyrtare se si nisi protesta, nuk kishte kërkesë për PD. Nisi për anulimin e 4 ligjeve, që i drejtohej qeverisë, një kërkesë për qeveri teknike, për të ndryshuar sistemin zgjedhor dhe për dorëheqjen e Ramës, që janë kërkesa edhe të PD.
Të gjithë kundërshtarët e Ramës mund t’i bëjë bashkë Edi Rama. Secila prej partive, duke nisur nga PD si më e madhja, në këtë moment ndoshta mund të humbë pak nga vetja duke shtrirë dorën edhe për koalicione jo tradicionale, me parti që nuk kemi menduar njësoj. Në këtë moment secili duhet të ulet në ego, dhe në pjesën publike, për të ofruar atë që kërkojnë njerëzit. Largimi i Ramës bëhet vetëm me bashkimin e çdo faktori opozitar.”, shtoi ajo.
