Protesta në Tiranë, Berisha: Qytetarët sot groposën në koshat e plehrave, dekretet diktatoriale

Kryedemokrati Sali Berisha ka përshëndetur protestën e ditës së sotme, duke theksuar se qytetarët, të rinjtë dhe protestuesit treguan guxim dhe trimëri.
Sipas tij, sot protestuesit groposën në koshin e plehrave të Tiranës dekretet diktatoriale, duke iu referuar gjobave dhe akteve normative të qeverisë.
Deklarata e Berishës:
Do të përshëndes përzemërsisht dhe me mirënjohje të thellë ata mijëra e mijëra studentë dhe qytetarë që sot me guximin, trimërinë, vendosmërinë e tyre groposën në koshat e plehrave të Tiranës, dekretet diktatoriale të padrinos, me të cilat ai synonte asgjësimin e revoltës studentore.
Kisha bindjen më të madhe se qytetarët, se studentët dhe studentet, qytetarët e Tiranës do t’u jepnin përgjigjen më të merituar, shpërfilljen totale, hedhjen në kosh të plehrave akteve antikushtetuese, antiligjore, me të cilat Edi Rama mendonte se do mund të gjejë mburojë, mbrojtje, mendoi se do mund të ndalojë protestën.
Jam këtu për të deklaruar se asnjë akt ligjor që vjen në kundërshtim me Kushtetutën, asnjë kufizim i lirive të garantuara nga Kushtetuta dhe Karta Europiane e të Drejtave të Njeriut, asnjë formë gjendje e jashtëzakonshme nuk do të respektohet kurrë nga Partia Demokratike.
Por, si të faktuara, këto përpjekje dështuan me turp sot në rrugë dhe sheshet e Tiranës, pasi qytetarët, studentët u bashkuan në një dhe i dhanë përgjigjen më të merituar narkodiktatorit dhe regjimit të tij.




