Aktualitet

Protestë tjetër me dhunë, sherr me demokratët dhe përplasje e ashpër me policinë. Gjithçka ndodhi në tubimin e sotëm në Tiranë

Protesta e zhvilluar këtë të shtunë në Tiranë është shoqëruar me tensione të forta dhe përplasje fizike, fillimisht mes studentëve dhe mbështetësve të Partisë Demokratike, e më pas mes protestuesve dhe forcave të policisë.

Tubimi nisi me marshimin e mbështetësve të PD-së nga selia blu drejt Kryeministrisë, ku në krye të tyre qëndronin deputetët Flamur Noka, Agron Gjekmarkaj, Elda Hoti dhe Tedi Blushi. Kreu i PD-së, Sali Berisha, nuk ishte i pranishëm në protestë.

Ndërkohë, studentët ishin mbledhur para Ministrisë së Arsimit, ku kishin nisur protestën e tyre që prej orës 14:00. Ata kundërshtuan përfshirjen e përfaqësuesve dhe mbështetësve të Partisë Demokratike në tubimin e tyre, duke krijuar një kordon ndarës dhe duke mbajtur një banderolë me mbishkrimin: “Rama në burg, Berisha në burg”.

Përplasjet verbale mes dy grupeve nuk munguan dhe situata kaloi më pas në përplasje fizike. Mes protestuesve pati debate të ashpra, ndërsa disa prej tyre shprehën kundërshtimin ndaj klasës së vjetër politike dhe përpjekjeve për të përfshirë protestën studentore në aktivitetin e opozitës.

Tensionet u përshkallëzuan më tej kur disa protestues u vunë flakën dy kazanëve të mbeturinave dhe i shtynë në drejtim të forcave të policisë. Gjithashtu, drejt efektivëve u hodhën sende të ndryshme, ndërsa policia u kundërpërgjigj me spraj dhe gaz lotsjellës.

Më pas, persona të maskuar hodhën gurë në drejtim të policisë, duke bërë që të ndërhynte edhe autoboti i ujit për shpërndarjen e turmës.

Pas përplasjeve para Ministrisë së Arsimit, protestuesit u zhvendosën drejt Rrugës së Durrësit dhe vijuan marshimin në drejtim të Kryeministrisë. Gjatë lëvizjes, ata tentuan të bllokonin rrugën duke vendosur gurë dekorativë në mes të saj dhe duke zhvendosur kazanët e mbeturinave.

Edhe përgjatë marshimit pati përplasje me policinë, e cila përdori autobotin e ujit për të zmbrapsur protestuesit. Në disa momente, efektivët lëshuan ujë të përzier me lëndë irrituese.

Situata u tensionua sërish para Kryeministrisë, ku protestuesit hodhën molotovë dhe fishekzjarrë në drejtim të godinës dhe forcave të policisë. Ndërkohë, autobotët ndërhynë për të shuar flakët dhe për të shpërndarë turmën.

Gjatë qëndrimit para Kryeministrisë, disa të rinj u panë duke shkulur gurë nga trotuari dhe duke i hedhur në rrugë, në përpjekje për t’i përdorur gjatë përplasjeve me policinë.

Forcat e rendit vijuan ndërhyrjen përgjatë bulevardit “Dëshmorët e Kombit”, duke i zmbrapsur protestuesit nga zona pranë Kryeministrisë deri në drejtim të Ministrisë së Mbrojtjes.

Pas disa orësh tensione dhe përplasjesh, protesta u drejtua drejt fundit. Policia arriti të shpërndajë pjesën më të madhe të protestuesve dhe krijoi një kordon përgjatë bulevardit, ku mbeti vetëm një numër i vogël pjesëmarrësish, pa incidente të tjera të raportuara.

Ndërkohë, mjetet e rënda ndërhynë për të pastruar gurët dhe mbeturinat e hedhura në rrugë, duke mundësuar më pas edhe normalizimin e qarkullimit të automjeteve.

Protesta e sotme u zhvillua në një klimë të tensionuar, mes kërkesës së studentëve për të ruajtur pavarësinë e tubimit të tyre dhe përpjekjeve të mbështetësve të opozitës për t’iu bashkuar protestës.