Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, theksoi se ndjen keqardhje për përplasjet që janë shënuar mes demokratëve dhe studentëve në protestën kundër kryeministrit Edi Rama.
Në një intervistë për News24, ajo theksoi se në shesh nuk po luftohet për një “copë opozitë”, por për të keqen, duke iu referuar Edi Ramës.
“Nuk është hera e parë që PD proteston. U bënë 14 vite që ka patur protesta të vazhdueshme. Por që nga maji, protesta ka pasur dimension tjetër. Përveç opozitës, ka protestuar shoqëria, studentët.
Në politikë kam mësuar se jo gjithmonë mund t’u pëlqesh të gjithëve. Ka mosdakordësi dhe ka qenë një opozitë e gjatë. Ka qytetarë që me të padrejtë ia vendosin ngarkesën opozitës. Nuk është normale një qeverisje për 4 mandate. I shoh me trishtim sa herë ka një incident të tillë. Sepse kështu na do qeveria”, tha Tabaku.
Deputetja demokrate theksoi se është e rëndësishme që të jenë të gjithë bashkë për të bërë të mundur largimin e qeverisë.
“Nuk besoj se askush që është në shesh po proteston për një copë opozitë. Për çfarë duhet? Nuk po garojmë se kush është partia nr 2. Ne duhet të jemi bashkë kundër asaj që është e keqja e vendit, PS dhe Rama”, shtoi Tabaku.












