Ndryshimet në ligjin për Trashëgiminë Kulturore, Qeveria propozon instrumente të reja mbrojtëse dhe përafrim me standardet e BE-së e UNESCO-s

Ministria e Turizmit, Kulturës dhe Sportit ka hartuar relacionin shpjegues për projektligjin “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 27/2018 ‘Për Trashëgiminë Kulturore dhe Muzetë’, të ndryshuar”, me synim modernizimin e kuadrit ligjor dhe rritjen e efektivitetit në ruajtjen, administrimin dhe mbrojtjen e pasurive kulturore materiale dhe jomateriale.
Dokumenti zyrtar sqaron se nisma ka lindur nga nevoja për të adresuar problematikat e konstatuara gjatë zbatimit të ligjit në fuqi, si dhe për të përmbushur detyrimet ndërkombëtare. Ndonëse “projektligji nuk është i parashikuar në Programin e Përgjithshëm Analitik të Projektakteve për vitin 2026”, hartimi i tij u diktua nga nevoja për “përafrimin e mëtejshëm të legjislacionit kombëtar me standardet dhe detyrimet ndërkombëtare dhe ato të Bashkimit Evropian”.
Risitë kryesore dhe instrumentet e reja mbrojtëse
Projektligji fut për herë të parë me kërkesë të UNESCO-s dhe rekomandim të Kontrollit të Lartë të Shtetit mekanizma teknikë vlerësimi paraprak për projektet zhvillimore që mund të prekë monumentet ose zonat e mbrojtura.
Për më tepër, projektligji harmonizon përkufizimin e muzeut me standardet më të fundit të Këshillit Ndërkombëtar të Muzeve (ICOM) dhe rregullon licencimin e ekspertëve në terren.
Adresimi i vonesave burokratike dhe mbështetja financiare
Relacioni nënvizon se praktika e deritanishme ka pasur “vonesa në përfundimin e procedurave të verifikimit, mungesë të një përcaktimi të qartë të përgjegjësive institucionale dhe vështirësi në koordinimin ndërmjet institucioneve”.
Për këtë arsye, ndryshimet e reja përcaktojnë afate të prerë procedurale, qartësojnë rolin e secilit institucion për të shmangur mbivendosjet, si dhe krijojnë mekanizma për “vendosjen e masave mbrojtëse paraprake në rastet kur ekziston rreziku i dëmtimit, tjetërsimit ose humbjes së pasurisë”.
Për sa i përket financimit, nisma krijon bazën ligjore për mbështetjen e pronarëve privatë të pasurive kulturore përmes “granteve, bashkëfinancimit dhe kontributeve në natyrë”, ndërsa sqarohet se efektet financiare për buxhetin e shtetit “do të përballohen sipas planifikimeve buxhetore vjetore”.
Baza kushtetuese dhe ekzekutimi
Relacioni i nënshkruar nga Ministri Blendi Gonxhja sqaron se projektligji mbështetet në nenet 78, 81 (pika 1) dhe 83 (pika 1) të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë.
Për zbatimin e këtij akti ngarkohet një rrjet i gjerë institucionesh ku përfshihen Ministria e Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Ministria e Drejtësisë, Ministria e Financave, Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, Ministria e Mjedisit, Agjencia Shtetërore e Kadastrës, Agjencia e Zhvillimit të Territorit si dhe Agjencia Kombëtare e Planifikimit të Territorit.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.



