Franca ka mobilizuar 70 mijë policë dhe xhandarë në të gjithë territorin, në një përpjekje për të parandaluar përshkallëzimin e protestave që pritet të zhvillohen në disa qytete. Autoritetet kanë paralajmëruar masa të forta sigurie, duke shprehur shqetësimin për përplasje të mundshme, bllokime rrugësh dhe dëmtime të pronës.
Ministri i Brendshëm francez, Laurent Nunez, bëri të ditur se masat vijnë në një kohë kur thirrjet për demonstrata po përhapen kryesisht përmes rrjeteve sociale, në shumë raste pa organizim zyrtar apo mbikëqyrje nga sindikatat. Sipas tij, disa prej këtyre thirrjeve shoqërohen edhe me mesazhe që nxisin dhunën dhe ndërprerjen e rendit publik.
Në disa zona urbane janë vendosur ndalime për zhvillimin e demonstratave, ndërsa organizatorëve të tubimeve të autorizuara u është kërkuar të përdorin itinerare alternative.Operacioni i sigurisë do të përfshijë 110 njësi të forcave të lëvizshme, 25 automjete të blinduara të tipit Centaur, topa uji, helikopterë dhe dronë. Përveç kësaj, policia do të kryejë kontrolle në rrugë, stacione hekurudhore dhe trena, me qëllim identifikimin dhe sekuestrimin e sendeve që mund të përdoren si armë.
Sipas gazetës franceze “Le Monde”, disa tubime janë planifikuar në mbarë vendin. Në Paris, grupet studentore dhe sindikaliste pritet të protestojnë përgjatë itinerarit që lidh sheshet Place de la République dhe Place de la Nation. Ndërkohë, lëvizja e Jelekëve të Verdhë ka paralajmëruar një grumbullim në Place de la Concorde.
Ministria e Brendshme ka deklaruar se do të garantojë zhvillimin e demonstratave paqësore, por ka paralajmëruar “një përgjigje të vendosur” ndaj personave që kryejnë akte dhune apo plaçkitjeje, duke theksuar se ata do të arrestohen.
Mobilizimi vjen pas disa javësh protestash studentore, të cilat janë përhapur në qytete të ndryshme të Francës. Studentët kanë bllokuar shkolla dhe kanë ngritur shqetësime për kushtet dhe burimet në sistemin arsimor.
Më 5 nëntor, Franca përjetoi një ditë të gjerë mobilizimi kombëtar. Sipas të dhënave të Ministrisë së Brendshme, në 193 tubime publike në të gjithë vendin morën pjesë rreth 575 mijë persona, prej të cilëve 65 mijë në Paris.


