Vlora nuk tërhiqet për Muzeun Hebraik, qytetarët rikthehen në protestë
Të anulohet përfundimisht projekti!
Qytetarët dhe aktivistët në Vlorë kanë dalë sërish në protestë kundër ndërtimit të Muzeut Hebraik në zonën historike të Muradies, duke kërkuar që projekti të ndalet përfundimisht dhe hapësira të rikthehet në gjendjen e saj të mëparshme.
Tubimi i kësaj të shtune vjen në një kohë kur kundërshtitë ndaj projektit vijojnë prej disa muajsh, ndërsa banorët dhe aktivistët këmbëngulin se ndërtimi në këtë zonë cenon identitetin historik dhe trashëgiminë kulturore të qytetit bregdetar.
Gjatë protestës nuk kanë munguar as kritikat ndaj Avokatit të Shtetit, të cilin pjesëmarrësit e akuzojnë se po përdor paratë e taksapaguesve për të mbështetur një projekt që, sipas tyre, nuk përputhet me interesat e qytetarëve të Vlorës.
Gjykata Administrative, sytë nga seanca e 11 nëntorit
Një tjetër apel i protestuesve i është drejtuar Gjykatës Administrative, ku më 11 nëntor është parashikuar të zhvillohet seanca e radhës për çështjen e Muzeut Hebraik.
Qytetarët kërkojnë që gjykata të vendosë në favor të ndalimit të punimeve, duke e konsideruar këtë çështje si një betejë për mbrojtjen e historisë dhe identitetit të Vlorës.
Aktivistët paralajmërojnë se nuk do të tërhiqen dhe se protestat do të vijojnë deri në një zgjidhje përfundimtare. Kundërshtimi ndaj projektit tashmë është zhvendosur përtej debatit mbi ndërtimin e një muzeu, duke u kthyer në një përplasje mes mbrojtjes së trashëgimisë historike dhe realizimit të projektit në një prej zonave më të rëndësishme të qytetit.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



