Ministrja e Jashtme e Bullgarisë, Velislava Petrova-Çamova, tha në përgjigje të një pyetjeje të deputetëve në Kuvendin bullgar se Sofja nuk e sheh të nevojshëm ndërmjetësimin në bisedimet me Maqedoninë e Veriut. Sipas saj, çështjet e lidhura me integrimin evropian janë përcaktuar tashmë në nivel evropian.
Petrova-Çamova u shpreh se nuk është praktikë e zakonshme të vendoset një ndërmjetës mes një shteti anëtar të Bashkimit Evropian dhe një vendi kandidat për marrëveshje që nuk janë dypalëshe, por janë miratuar në nivel evropian. Ajo tha se qëndrimi i Bullgarisë për këtë çështje është i qartë.
Të lidhura
None found
Ministrja shtoi se Sofja pret nga Republika e Maqedonisë së Veriut gatishmëri për të ndryshuar narrativën politike ndaj Bullgarisë. Sipas saj, deri tani ka mbizotëruar një narrativë antibullgare dhe, pa ndryshimin e kësaj qasjeje, dialogu mes dy vendeve do të mbetet i vështirë.
Ajo i cilësoi të pabazuara pretendimet se Bullgaria mund të paraqesë kërkesa të tjera ose të ndryshojë qëndrimin e mbajtur deri më tani. Petrova-Çamova theksoi se qeveria dhe Ministria e Punëve të Jashtme e zhvillojnë dialogun me Republikën e Maqedonisë së Veriut duke u mbështetur te konsensusi i vitit 2022 dhe vendimet e mëvonshme të Kuvendit bullgar, të cilat përcaktojnë qëndrimin e vendit.
Qëndrimi i saj pason propozimin e kryeministrit të Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski, për përfshirjen e përfaqësuesve të Bashkimit Evropian si ndërmjetës në bisedimet me Sofjen. Më herët, ministri i Punëve të Jashtme, Timço Mucunski, kishte deklaruar se dialogu për çështjet e hapura mbështetet nga institucionet evropiane dhe vendet anëtare të Bashkimit Evropian.








