Qyteti i Houstonit në Teksas ka vendosur të kufizojë bashkëpunimin e policisë lokale me autoritetet federale të imigracionit (ICE), vetëm tri ditë pas fitores së demokratëve në zgjedhjet e mesmandatit në Shtetet e Bashkuara.

Kryetari demokrat i qytetit, John Whitmire, nënshkroi një urdhër ekzekutiv që përcakton kufizime të reja për mënyrën se si policia mund të bashkëpunojë me Shërbimin e Emigracionit dhe Doganave të SHBA-së (ICE).


Sipas udhëzimit të ri, policët nuk mund t’i raportojnë personat tek autoritetet e imigracionit vetëm për shkak se ndaj tyre ekziston një urdhër administrativ për çështje të emigracionit. Kontakti me ICE-në lejohet në raste të caktuara, përfshirë kur personi arrestohet për një vepër penale që mund të dënohet me burgim.

Whitmire tha se vendimi synon të mbrojë sigurinë e komunitetit dhe të shmangë krijimin e frikës te emigrantët që jetojnë në qytet, shkruan theguardian.

“E kam thënë shumë herë: zgjedhjet kanë rëndësi”, deklaroi ai, duke iu referuar ndryshimeve politike pas rezultateve të fundit zgjedhore.

Vendimi vjen në një kohë kur politikat e administratës së presidentit Donald Trump për dëbimin e emigrantëve kanë shkaktuar kundërshtime në disa qytete amerikane, veçanërisht në ato të udhëhequra nga demokratët.

Guvernatori republikan i Teksasit, Greg Abbott, kishte paralajmëruar më herët se do t’ua ndërpriste Houstonit, Dallasit dhe Austin rreth 110 milionë dollarë grante për sigurinë publike, nëse këto qytete kufizonin bashkëpunimin me ICE-në.

Nga ana tjetër, organizatat për të drejtat e emigrantëve e kanë mirëpritur vendimin, duke argumentuar se bashkëpunimi i policisë lokale me autoritetet e imigracionit krijon pasiguri te komunitetet e emigrantëve dhe mund t’i pengojë ata të raportojnë krimet ose të kërkojnë ndihmë nga policia. /Telegrafi/