Lajmi i fundit

Protesta kombëtare, opozita në mbështetje të studentëve

Buxheti 2027 larg kërkesave të studentëve dhe universiteteve

Buxheti 2027 larg kërkesave të studentëve dhe universiteteve

Nga Myqerem Tafaj - 07/11/2026

Rinia shqiptare, fatmirësisht, vendosi të ngrejë zërin e saj në rrugë dhe sheshe prej pesë muajsh, sepse kuptoi që qeveria nuk kishte asnjë vëmendje ndaj halleve të vërteta të saj, për sot dhe të ardhmen. Studentët janë promotorët e vërtetë të protestës dhe ata kanë folur dhe vazhdojnë të flasin me zë të lartë për nevojat e tyre për mbështetje, si dhe ato të universiteteve ku ata studiojnë. Kryeministri del, çdo ditë, dhe fton studentët protestues për dialog, dhe u thotë se ka nxjerrë mësime nga protesta, se do të hartojë politika të reja për rininë, etj.

Në këtë situatë, unë mendoja që qeveria vërtetë do të reagonte, me buxhetin e vitit 2027, me masa që i përgjigjen kërkesave të vërteta të studentëve gjatë studimeve dhe pas diplomimit të tyre. Por, kur lexova buxhetin 2017, prej 10 miliardë euro dhe PBB 30 miliardë euro, dhe pashë sa buxhet është planifikuar për arsimin dhe shkencën, thashë me vete, kjo qeveri ose nuk do, ose nuk di çfarë do të thotë të investojë një vend për Dijën.

Në buxhetin 2027, qeveria planifikon 143 milionë euro (zë 0,485 % ndaj PBB) për shkollimin e studentëve në universitetet publike, nga e cila vetëm 110-115 milionë euro janë nga buxheti dhe 25-30 milionë euro janë nga tarifat e vetë studentëve. Ky buxhet zë një përqindje, de facto, vetëm 0,4 % të PBB, ndërkohë që politikat e BE rekomandojnë një minimum buxheti për arsimin e lartë prej 1,2% të PBB. Ndërsa Fondi për kërkimin shkencor është vetëm 23 mil. euro ose 0,08% të PBB. Ky investim për arsimin e lartë dhe shkencën është të paktën 5 herë më i ulët se sa investimi që akordon Sllovenia, një vend i ri i BE, me një popullsi të ngjashme me vendin tonë. Por, të mos shkojmë deri tek Sllovenia, të shohim Kosovën. Vetëm Universiteti i Prishtinës ka një buxhet më të madh se sa gjithë buxheti që akordon qeveria për gjithë arsimin e lartë, pa pjesën që vjen nga tarifat e studentëve. Të investosh kaq pak për arsimin e lartë dhe shkencën, kur buxheti total 2027 është 10 miliardë euro dhe PBB 30 miliardë euro, do të thotë të zbatosh një politikë realisht kundër shkollimit të rinisë dhe dijes në vendin tënd.

Me këtë buxhet, shpenzimet publike janë afro 4150 euro për frymë, ndërkohë që për studentët dhe shkollimin e tyre buxheti planifikon vetëm afro 1200 euro/student (143 milionë euro për 120 mijë studentë) ose 8-10 herë më pak se sa mesatarja e vendeve të OECD-së. Si është e mundur që qeveria të tallet edhe me zotimet e saj që i deklaroi para Komisionit Europian (KE) për rritjen e investimit për arsimin dhe shkencën dhe që u ritheksuan në Show-n e mbylljes së kapitujve të arsimit dhe shkencës. Kjo është përgjigja e qeverisë ndaj rekomandimeve të KE, duke akorduar një nivel investimi të vendeve të botës së tretë për Dijën?!

Me investim të nivelit të botës së tretë për arsimin dhe shkencën, nuk shkon në BE, por në botën e pazhvilluar.

Por ne duhet të jemi të qartë, se BE nuk do të na detyrojë ne kurrë, që të zhvillojmë arsimin dhe shkencën. BE vetëm mund të na ndihmojë, nëse ne duam ta zhvillojmë këtë sektor sipas parimeve dhe standardeve europiane. Kam shkruar disa herë pse Shqipërisë i duhet një investim të paktën 2 herë më i madh për arsimin dhe shkencën. Më poshtë po sjell argumentet pse duhet të jetë ky nivel investimi.

Pse qeveria planifikon një buxhet kaq të ulët për arsimin e lartë dhe shkencën? Unë mendoj se qeveria nuk e ka përparësi dhe nuk i njeh realisht nevojat e mëdha për mbështetjen e studentëve dhe shkollimin e tyre cilësor.

Sot, studentët në vendin tonë, përfitojnë mbështetje shumë më të vogël, krahasuar jo me vendet e BE, por edhe me Kosovën. Shpenzimet e jetesës për studentët në Tiranë janë shumë të larta, sidomos për studentët që vijnë nga rrethet. Të gjithë studentët detyrohen të punojnë, në mënyrë që të përballojnë shpenzimet kaq të larta të jetesës.

Tarifat e masterit janë të larta. Problemi kryesor i jetesës së studentëve është strehimi me kosto të përballueshme. Me një buxhet prej 10 miliardë euro ekziston mundësia e plotë për të ndërmarrë masa realiste për të siguruar strehim me kosto simbolike për studentët. Modele të mira ka në shumë vende dhe mund të merren për zgjidhjen afatgjatë të problemit të strehimit të studentëve. Modeli ynë i sotëm i qyteteve të studentëve nuk është zgjidhje dinjitoze. Në vitin 2026, studentët tanë nuk mund të pranojnë kushtet kaq minimale të banimit. Ata meritojnë kushte dinjitoze të banimit të krahasueshme me studentët të paktën të Kroacisë, Sllovenisë dhe vendeve të reja të BE.

Në tërësi, me këtë kuadër ligjor që kemi ne, praktikisht studentët janë jashtë vëmendjes së universiteteve për kohën pas mësimit. Unë mendoj se është e nevojshme të zhvillohet një kuadër i ri ligjor, i cili lidh më mirë universitetet publike me jetesën e studentëve përtej orarit të mësimit. Me këtë kuadër ligjor universitetet publike nuk kanë asnjë ide se cilat janë vështirësitë dhe nevojat e studentëve për përballimin e jetesës gjatë studimeve. Studenti nuk mund të jetë pjesë e “familjes së universitetit” vetëm për kohën e mësimit, por edhe pas orarit mësimor. Statusi që kanë sot konviktet e studentëve i ka shkëputur universitetet nga studentët, dhe, de facto, i ka nxjerrë ato jashtë familjes universitare. Ndoshta, duhet të adaptojmë modelin e kuadrit ligjor të vendeve të tjera, qoftë edhe të Sllovenisë, pa shkuar deri tek modeli ndër më të arriturit i universiteteve të SHBA-së. Disa masa të ndërmarra për bursa në degët prioritare janë pozitive, por krejtësisht të pamjaftueshme. Vendit tonë i duhet një paketë e re moderne e mbështetjes së studentëve duke u mbështetur në modele të mira (Sllovenia është një ndër vendet që ka politika shumë të përparuara për mbështetjen e studentëve).

Nëse ne do të vazhdojmë me këto politika tërësisht të pamjaftueshme të mbështetjes së studentëve dhe me këtë cilësi mediokre shkollimi, nuk duhet të habitemi që çdo vit do të largohen më shumë maturantë dhe studentë për shkollim jashtë vendit dhe për të mos u kthyer në Shqipëri. Por, me këtë nivel të shpopullimit dhe këtë përqindje të ulët lindshmërie që ka vendi ynë, emigrimi qoftë edhe i një studenti, duhet konsideruar kambanë alarmi për vendin. Unë mendoj se është parësore, madje jetike, për të ardhmen e Shqipërisë, hartimi me konsensus politik, dhe zbatimi konsekuent i një Strategjie kombëtare afatgjatë, për frenimin e largimit të të rinjve nga vendi dhe kthimin e atyre të larguar, sidomos të të rinjve të shkolluar. Kjo, jo vetëm si pjesë thelbësore e politikave kundër shpopullimit të vendit, por edhe si një politikë për rritjen e kapaciteteve të kualifikuara njerëzore, për të cilët është i uritur, jo vetëm sistemi i arsimit të lartë shqiptar, por edhe çdo sektor i ekonomisë, shërbimeve dhe administratës publike. Ndërkohë që raportet e BE theksojnë, në çdo kapitull që negociohet, se Shqipëria nuk ka kapacitete të mjaftueshme njerëzore të mirëshkolluara, nuk shohim politika realiste se si mund të rriten kapacitetet profesionale në administratën qendrore dhe vendore. Ky është një paradoks fatkeq: Shqipëria eksporton mendjen më të kualifikuar në universitetet, qendrat kërkimore dhe kompanitë e vendeve të zhvilluara, dhe për vete mbetet me kapacitete të pamjaftueshme të kualifikuara!

Nevojat e universiteteve publike për të realizuar një shkollim cilësor janë shumë të mëdha. Ato lidhen më së pari me njerëzit. Pas studentëve në një universitet vijnë pedagogët. Pagat e tanishme të pedagogëve janë për mbijetesë, çka bën që ata të detyrohen të bëjnë një punë të dytë ose të tretë për të mbajtur familjet e tyre.

Por, një sistem i arsimit të lartë ku pedagogët shpërblehen me paga që nuk përballojnë dot shpenzimet e familjeve të tyre nuk ka asnjë shans të prodhojë cilësi. Është e kotë të gënjejmë veten. Qeveria dhe gjithë politika shqiptare duhet ta kuptojë se pa paga dinjitoze të pedagogëve nuk ka arsim të lartë cilësor.

Shpenzimet e jetesës në Shqipërinë tonë bëjnë të domosdoshme rritjen e menjëhershme të pagave, madje dyfishimin e tyre brenda 2-3 viteve. Mendoni njëherë, të nderuar qeveritarë, politikanë dhe burokratë, a mund të pranojë sot një i ri i talentuar, që ka përfunduar shkëlqyer studimet e masterit, brenda ose jashtë vendit, të fillojë punë në universitetet publike, si asistent lektor me pagë mujore neto afro 85000 lekë; apo një i doktoruar, me rezultate të shkëlqyera jashtë vendit, të fillojë punë si lektor me gradën shkencore „Doktor“ me pagë mujore neto afro 110000 lekë, apo një i postdoktoruar jashtë vendit të kthehet dhe të fillojë punë si „Profesor“ me pagë neto 144000 lekë, kur qiraja mujore në Tiranë për një apartament 1+1 është të paktën 70000 lekë, nafta është 213 lekë/litër, pa përmenduar çmimet e ushqimeve në Tiranë?!

Nga ana tjetër, Shqipërisë i duhen shumë më tepër kërkues dhe personel akademik kërkimor. Ne jemi vendi me numër të paktën dy herë më të vogël të numrit të personelit akademik kërkimor për 1000 banorë, krahasuar me vendet më të reja të BE (p.sh. Bullgaria, pa shkuar tek Sllovenia, Polonia, etj.) dhe 5-7 herë krahasuar me vendet më të zhvilluara të BE. Vetë Bordi i Akreditimit i arsimit të lartë, i emëruar nga Kryeministri, deklaron në raportin e tij se gati 40% e personelit akademik mësimdhënës janë të jashtëm ose part time dhe po afro 40% e personelit janë pa “arsimin përkatës”, në kuptimin që nuk kanë shkallën e nevojshme të kualifikimit për të dhënë mësim në ciklin Bachelor dhe Master në universitet! A nuk duket kjo paradoksale, kur mijëra të rinj shqiptarë, me nivel të lartë kualifikimi, enden rrugëve në Shqipëri ose janë të detyruar të qëndrojnë në vendet e tjera!

Shqipëria dhe Kosova janë të vetmet vende që kanë frikë nga hapja e vendeve të punës në universitete dhe qendra kërkimore për të rinjtë e talentuar? Të rinjtë e talentuar shqiptarë, madje edhe me doktorata dhe postdoktorata, strapacohen për kontrata në universitete dhe qendra kërkimore të vendeve të tjera, sepse vendet e tyre u kanë mbyllur dyert ose i kanë dëbuar. Shumë nga këto talente vijnë dhe protestojnë bashkë me studentët në rrugë dhe sheshe. Cila është përgjigja për ta? Injorim total. Me këtë buxhet prej 10 miliardë euro, një qeveri e përgjegjshme duhet t'u kërkonte menjëherë universiteteve publike të propozojnë plane ambicioze zhvillimi të personelit akademik shkencor sipas standardeve të universiteteve të BE, dhe që krijojnë hapësirë reale edhe për të thithur çdo të doktoruar me rezultate të larta në universitete perëndimore. Si mund të mbahen peng universitetet tona me organika mediokre të ngurtësuara vetëm me ngarkesë arkaike mësimore sikur janë shkolla 9-vjeçare dhe të mesme?!

Ligji aktual i arsimit të lartë lejon emërimin e personelit edhe vetëm për qëllime kërkimore, pra ka hapësirë të mjaftueshme për të hapur dyert e universiteteve për të rinjtë e talentuar. Si mund të vazhdojë praktika anakronike, denigruese për një universitet të këtij shekulli, ngarkesa mbi normë si një manovër për të mos hapur vende pune, e cila është në dëm të cilësisë së mësimdhënies dhe kërkimit shkencor. Kështu do të vazhdohet akoma edhe tani që Shqipëria ka 10 miliardë euro buxhet? Po të vazhdohet me këto politika, universitetet tona do të vazhdojnë të degradojnë drejt nivelit të shkollave të mesme, dhe për kërkim shkencor nuk mund të bëhet fjalë.

Si mund të lejohet të vazhdojë një situatë e tillë paradoksale: eksportojmë talente jashtë vendit dhe u mbyllim derën e shtëpisë së tyre për të vënë talentin dhe investimin e tyre, të fituar edhe në universitete nga më prestigjiozet, në shërbim të studentëve dhe shkencës në vendin e tyre?! Emëroni të rinj të talentuar se do t’i bëni nder Shqipërisë. Një qeveri e përgjegjshme, me një buxhet të tillë prej 10 miliardë euro dhe PBB 30 miliardë euro, do të kishte hapur të paktën 1000 vende të reja pune si kërkues dhe pedagogë për të rinj të talentuar në universitetet tona publike. Shqipërisë i duhet të arrijë brenda 3-5 viteve, të paktën një dyfishim të numrit të kërkuesve dhe personelit akademik, nëse duam të kemi universitete.

Në universitetet tona publike janë bërë investime ndër vite, por ato kanë qenë të pamjaftueshme dhe jo eficiente. Sot, akoma nuk mund të themi se, në çdo auditor dhe godinë universitare, ka kushte dinjitoze për një universitet, jo vetëm nga ana e infrastrukturës didaktike-shkencore (laboratorë, biblioteka, etj.), por edhe për kushte më elementare, si ngrohje, ftohje, ujë i rrjedhshëm, mjediset higjienike, etj. Kur ndërtohen apo rikonstruktohen rrugë me kosto marramendëse, përse nga ky buxhet total prej 10 miliardë euro nuk dedikohet një buxhet i nevojshëm për investime në infrastrukturë, në mënyrë që, njëherë e mirë, të sigurohen kushte normale mësimi dhe qëndrimi dinjitoz për studentët dhe pedagogët në çdo auditor dhe godinë të universiteteve tona publike!

Fondi për shkencën që destinohet për projekte laboratorësh dhe për kërkimin shkencor është akoma shumë i ulët, ose një thërrime prej 23 milionë euro nga një buxhet total prej 10 miliardë euro. Ky buxhet mbetet akoma simbolik për gati 6000 pedagogë dhe kërkues të universiteteve publike, private dhe qendrat kërkimore. Kaq shkencë i duhet Shqipërisë sipas qeverisë! Nuk është çështje financash, por injoranca që mbizotëron në këtë qeveri dhe në politikën shqiptare se “universitetet nuk kanë punë me shkencën, ato boll të bëjnë atë mësimin”! E paimagjinueshme që, në vitin 2026, të vazhdojë të mbizotërojë kjo injorancë në politikëbërje në Shqipëri.

Në përfundim, mendoj se ky buxhet që ka propozuar qeveria për arsimin e lartë dhe shkencën për vitin 2027 është një shpërfillje arrogante e kërkesave që po artikulojnë studentët dhe të rinjtë e shkolluar në rrugët dhe sheshet e Tiranës. Fatkeqësisht, qeveria është jashtë realitetit të këtij vendi, jo vetëm në këtë sektor, por edhe në çdo sektor tjetër. Me një politikëbërje të tillë jashtë interesave të qytetarëve dhe të vendit, në mënyrë të veçantë të brezit të tij, Shqipëria do të ketë një rrugë shumë të gjatë për të arritur në BE. Ai kilometri i fundit që tha Kryeministri për në BE, është në fakt, vite dritë larg vizionit dhe politikave të një vendi të lirë, demokratik dhe të zhvilluar të BE. Prandaj, studentët dhe të rinjtë e shkolluar janë në rrugë dhe duhet të vazhdojnë të qëndrojnë për t’i hapur rrugë Shqipërisë moderne, pjesë e familjes së vendeve të zhvilluara.

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco