“Kuzhina”, “hipja” dhe “dalja”, zbulohet fjalori sekret i grupit Çopja-Çela për trafikun e 60.7 tonëve kokainë

Shkruar nga: I Cani | Publikuar më: 07.11.2026, 12:59

Një fjalor i tërë i koduar përdorej nga organizata kriminale e drejtuar nga Franc Çopja dhe Ervis Çela për të koordinuar trafikun ndërkombëtar të kokainës. Nga sigurimi i drogës në Amerikën Latine, te ngarkimi në anije, nxjerrja nga portet europiane dhe lëvizja e parave, çdo fazë e aktivitetit kishte termin e saj të posaçëm.

SPAK ka zbardhur mënyrën se si anëtarët e organizatës komunikonin përmes platformave të enkriptuara SkyECC dhe EncroChat, ku hetuesit kanë identifikuar një sërë shprehjesh që fshihnin aktivitetin e tyre kriminal.

Ndër termat më të përdorur ishin “kuzhina”, “hipja”, “dalja” dhe “token”, të cilët përfaqësonin hallka të ndryshme të zinxhirit të trafikut të kokainës.

“Kuzhina”, aty ku sigurohej kokaina në Bolivi

Sipas hetimeve, fjala “kuzhina” përdorej për të identifikuar laboratorët e prodhimit të kokainës në zonën e Andeve, kryesisht në Bolivi.

Në këtë fazë, një rol të rëndësishëm kishte Ervis Çela, i cili dyshohet se siguronte kontaktet me furnizuesit në Amerikën Latine, negocionte sasitë, cilësinë dhe çmimin e drogës, si dhe koordinonte furnizimin e organizatës.

Pas sigurimit, kokaina transportohej drejt Paraguait, ku grumbullohej dhe përgatitej për t'u nisur drejt tregjeve europiane.

“Hipja” dhe “dalja”, dy hallkat e transportit ndërkombëtar

Në komunikimet e zbërthyera nga hetuesit, termi “hipja” përdorej për të përshkruar ngarkimin e kokainës në anije në portin e Villetës, në Paraguaj.

Ndërsa fjala “dalja” i referohej nxjerrjes së ngarkesave të drogës nga portet europiane, kryesisht nga porti i Anversës në Belgjikë.

Në këtë pjesë të aktivitetit, sipas SPAK, Franc Çopja kishte rol kyç në koordinimin e transportit ndërkombëtar, financimin e ngarkesave dhe organizimin e nxjerrjes së kokainës nga portet europiane.

Kokaina fshihej mes mallrave industriale

Një tjetër element i zbardhur nga hetimet është mënyra se si organizata kamuflonte ngarkesat me drogë. Për këtë qëllim përdoreshin kompani tregtare dhe dokumente që paraqisnin dërgesa me mallra të ligjshme.

Kokaina fshihej në kontejnerë që deklaroheshin si transport me produkte industriale, mes tyre stuko patinimi, bojëra dhe materiale të tjera. Kështu, ngarkesat niseshin nga Paraguaji drejt porteve europiane, ku më pas organizohej nxjerrja dhe shpërndarja e drogës.

SPAK bën me dije se zbërthimi i komunikimeve në SkyECC dhe EncroChat, së bashku me provat e siguruara përmes bashkëpunimit ndërkombëtar, ka ndihmuar në dokumentimin e strukturës dhe mënyrës së funksionimit të organizatës.

Sipas Prokurorisë së Posaçme, grupi i drejtuar nga Franc Çopja dhe Ervis Çela dyshohet se ka trafikuar të paktën 60.7 tonë kokainë nga Amerika e Jugut drejt vendeve të ndryshme të Europës gjatë periudhës 2019-2021.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit