Ministria e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale informon se gjatë ditës së djeshme, në Spitalin Rajonal Vlorë janë paraqitur 4 raste pediatrike me simptoma të gastroenteritit, ndërsa gjatë ditës së sotme është regjistruar edhe një rast tjetër.

MSHMS deklaron se “menjëherë pas evidentimit të rasteve, është njoftuar Njësia Vendore e Kujdesit Shëndetësor Vlorë, specialistët e së cilës kanë mbërritur në spital dhe kanë kryer marrjen e mostrave për analizat përkatëse laboratorike”.

Aktualisht, po vijon hetimi epidemiologjik dhe vlerësimi laboratorik për identifikimin e shkakut të këtyre rasteve.

Spitali Rajonal Vlorë, në bashkëpunim të ngushtë me strukturat e shëndetit publik, po monitoron situatën dhe po ndjek të gjitha procedurat e nevojshme për vlerësimin dhe menaxhimin e saj.