Erion Veliaj pritet të kryejë një tjetër ndërhyrje kirurgjikale në këmbën e thyer, pas rekomandimit të mjekëve në Spitalin Memorial të Fierit.
Sipas informacioneve, gjatë një ekzaminimi të zhvilluar ditën e sotme, mjekët kanë vlerësuar se fraktura në këmbën e Veliajt kërkon një tjetër ndërhyrje kirurgjikale.
Shqetësimet për gjendjen shëndetësore të kryebashkiakut janë ngritur prej ditësh nga avokati i tij, Plarent Ndreca.
Ky i fundit ka deklaruar më herët se prej afro dy javësh ishte kërkuar zyrtarisht kryerja e ekzaminimeve mjekësore për të kontrolluar ecurinë e rikuperimit të frakturës, por ato nuk ishin realizuar.
Veliaj aktualisht qëndron në ambientet spitalore të burgut të Fierit, pas transferimit disa ditë më parë nga burgu i Durrësit.
Gjatë kësaj periudhe, ai ka lëvizur me ndihmën e patericave dhe ka përdorur medikamente qetësuese për të përballuar dhimbjet.
AKUZAT E VELIAJT
Erion Veliaj ka publikuar disa dite me pare nga qelia e burgut të Fierit shënimet e ditarit të tij për takimin me ministrin e Drejtësisë, Toni Gogu, të cilit i është përgjigjur për kërkesat që i janë përcjellë nga kryeministri Edi Rama, ku ky i fundit, sipas Veliajt e ka kërcënuar dhe i ka kërkuar të delegojë firmën.
Në shënimet e publikuara, Veliaj shprehet se nuk është organizator apo financues i protestave, duke i cilësuar akuzat si sajesa dhe duke i krahasuar me propagandën e kohës së Enver Hoxhës.
“Nuk jam organizator e financues as i Flamingove, as studentëve – këto janë gjepura si në kohë të Enverit! Ku është katandis shteti, gjeti armikun e brendshëm”, shkruan ai.
Veliaj ka reaguar ashpër edhe ndaj mundësisë së transferimit të tij në një tjetër burg, duke deklaruar se nuk do të përkulet dhe as do të shantazhohet, pavarësisht vendit ku do të dërgohet.
“Jo këtu, po në Spaç të më çoni 100 vjet nuk më përkulni dot. Ta harrojë R.”, shkruan Veliaj, duke iu referuar kryeministrit Rama. “Turp që KM merret vetë me internimet”, shkruan Veliaj, duke shtuar se nuk e konsideron transferimin si ndonjë “nder” që duhet t’i bëjë kryeministrit.
“Çfarë ‘nderi’ duhet t’i njoh KM? Që negocion me prokurorët për sa akuza do kem e sa vite do marr?”, thuhet në shënimet e tij. “Përgjigja për KM është: Nuk i organizoj protestat, po as nuk më intimidon dot me këto sajesa që i përbuz me neveri. Fuckin’ grow up, ku ju del koha të merreni”, shkruan ai.











